“Shtëpia e Bardhë u trondit”, Robelli: Izraeli ndikoi në dorëheqjen e përgjegjësit të SHBA për terrorizmin

Nga A2 CNN
17 Mars 2026, 23:05 | Bota

Gazetari Enver Robelli, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se “Izraeli ndikoi në dorëheqjen e përgjegjësit të SHBA për terrorizmin”.

“Unë mendoj që në letrën e dorëheqjes kishte dhe disa akuza shumë serioze ndaj Presidentit Trump, që është futur në një luftë pa bërë një plan të qartë, që më shumë ka qenë i ndikuar nga politikanë izraelit, nga kryeministri i Izraelit, më shumë nga figurat e fuqishme nga lobi hebraik në Shtetet Bashkuara të Amerikës. Shumë interesant shikohet që kur zoti Trump e ka emëruar në këtë post zotin Kent si përgjegjës kundër terrorizmit e ka lavdëruar me tonet më të larta dhe kur ai dha dorëheqjen tha: “E kam ditur gjithmonë se është shumë i dobët”. Domethënë, ka një hendek të madh mes asaj çfarë thuhet, çfarë është thënë kur është emëruar dhe çfarë po thuhet sot. Shihet shumë qartë që një pjesë e madhe e ekspertëve të sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë shumë të bindur nga kjo strategji. Prandaj kemi edhe këtë çarje jashtëzakonisht të madhe mes evropianëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak se ju nuk mund të futeni në luftë pa u konsultuar në një farë forme me aleatët, dhe 10 ditë pasi fillon lufta, kërkon një mbështetje. Edhe lufta në Irak ka ndodhur pa miratim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por Presidenti Bush i asaj kohe megjithatë ka krijuar një koalicion të gjerë ndërkombëtar, me të cilin është futur pastaj në në luftë në Irak”, shpjegoi Robelli.

“Shtetet Bashkuara të Amerikës janë shtet i madh, janë superfuqi, por një politikan që e përdor vazhdimisht këtë gjuhë i irriton partnerët dhe nuk po them irriton ndonjë kryeministër të një shteti të vogël, por irriton shtete të mëdha siç janë Franca, Gjermania, Britania e Madhe. Nuk kanë qenë që nga Lufta e Dytë Botërore raportet në nivel më të ulët me Britaninë e Madhe, me aleatin kryesor amerikan në Evropë dhe kjo nuk mund t'ju atribuohet vetëm evropianëve. Natyrisht që evropianët me dekada të tëra kanë përfituar nga mbrojtja amerikane dhe kjo është pjesë e gabimit të madh që kanë bërë europianët. Kanë zhvilluar ekonomitë e tyre, kanë bërë biznes me Kinën dhe çështjen e sigurisë ia kanë lënë në duar Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kanë qenë shumë të lumtur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin miliarda e miliarda për të mbrojtur europianët, por tani situata ka ndryshuar. Falë presionit të Presidentit Trump ndaj europianëve ndikoi që këta t'i rrisin buxhetet e mbrojtjes”, shtoi Robelli.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos