Shërbimet inteligjente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë kanë arritur të zbulojnë dhe të pengojnë realizimin e një plani të sofistikuar rus për të vrarë Armin Papperger, CEO-n e kompanisë më të madhe gjermane të prodhimit të armëve, Rheinmetall.
CNN raporton ekskluzivisht se komploti për të vrarë Papperger ishte pjesë e një fushate të orkestruar nga Moska për të shënjestruar drejtuesit e kompanive kryesore të indusitrisë së prodhimit të armëve në Europë, të cilët po ndihmonin Ukrainën në luftën kundër Rusisë. Objektivi ishte pengimi i furnizimit të rregullt të Kievit me armatime, për të pamundësuar mbrojtjen ndaj agresionit rus.
Autoritetet amerikane dhe ato gjermane arritën të ndërhynin dhe të bënin që plani rus të dështonte.
Zyrtarë të NATO-s kanë deklaruar disa herë se Rusia ka ndërmarrë një “luftë në hije” kundër Europës, jo vetëm me plane për vrasje, por edhe sabotazhi, zjarrvënieje dhe akte vandalizmi, me synim pengimin e dërgesave të armatimeve në Ukrainë. Për këtë shkak, shtetet anëtarë të aleancës kanë rritur bashkëpunimin në fushën e inteligjencës.
Zyrtarët gjermanë e kanë dënuar këtë veprim të Rusisë, duke e quajtur një “luftë hibride”. Të premten, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, hodhi poshtë akuzat dhe tha se Rusia nuk kishte asnjë plan për vrasjen e industrialistit gjerman. (A2 Televizion)