E dënuara me vdekje në Tenesi, Christa Pike, ishte pa ndjenja, e intubuar dhe në ventilator të enjten në mbrëmje, pasi autoritetet dështuan ta ekzekutonin atë me injeksion vdekjeprurës, thanë avokatët e saj në dosjet gjyqësore.
50-vjeçares, iu injektuan dy doza vdekjeprurëse pentobarbital të mërkurën, por mbeti gjallë. Ajo u dërgua më pas në spital me ambulancë.
Pike mbeti në gjendje kritike për jetën dhe po trajtohej në një spital në zonën e Nashvillit.
Avokatët e Pike, e cila u dënua me vdekje në vitin 1996 për vrasjen e Colleen Slemmer, po kërkojnë që dënimi i saj të ndryshohet pas përpjekjes së dështuar për ekzekutim.
Avokatët e Pike paraqitën një mocion emergjence të premten për të ruajtur "çdo provë" që lidhet me ekzekutimin e saj të dështuar.
Stafi i spitalit po punon për të shpëtuar jetën e saj dhe për të larguar ilaçin e përdorur, pentobarbital, nga sistemi i saj, thuhet në dosje.
Gjatë tentativës së ekzekutimit, zyrtarët e burgut u përpoqën t’i fusin Pike-ut injeksione intravenoze (IV) duke përdorur të paktën shtatë gjilpëra, sipas avokatëve të saj.
Në një moment, vetë Pike ofroi udhëzime se ku mund të provonin.
"Një gjilpërë ishte e përkulur në një kënd 90 gradë kur u hoq", thuhet në dosje.
Ndërsa merrte dy dozat, "ajo mund të dëgjohej duke qarë, duke rënkuar dhe duke marrë frymë me zë të lartë gjatë gjithë procedurës", thanë avokatët e saj.
Guvernatori i Tenesit, Bill Lee, urdhëroi një shqyrtim të pavarur të ekzekutimit të dështuar të Pike dhe ndaloi të gjitha ekzekutimet në shtet për këtë vit.
Departamenti i korrektimit i shtetit ka mbrojtur metodën që ka përdorur, duke thënë se "protokolli nuk lejon procedura shtesë përtej asaj që është kryer".
Autoritetet ende nuk kanë thënë nëse do të përpiqen përsëri ta ekzekutojnë Pike-un. Ata nuk kanë ofruar asnjë shpjegim se çfarë shkoi keq. (A2 Televizion)