
Demokratët në SHBA kanë kritikuar përfshirjen e Jared Kushner-it dhe Steve Witkoff-it në bisedimet diplomatike me Iranin, të ndërmjetësuara nga Pakistani, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e delegacionit amerikan.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, anëtarët demokratë të Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve theksuan se "delegacioni përfshin dhëndrin e Donald Trump dhe mikun e tij nga fusha e pasurive të paluajtshme dhe golfit”, duke iu referuar dyshes Kushner-Witkoff.
Në deklaratë vihet në dukje se bëhet fjalë për të njëjtët individë që u angazhuan edhe në përpjekjet e mëparshme diplomatike që përfunduan me nisjen e “një lufte të panevojshme dhe të kushtueshme”. Ata shtuan se kjo nuk është një mënyrë e mirë për të sinjalizuar një “rifillim diplomatik” në skenën ndërkombëtare.
Kujtojmë që bisedimet SHBA-Iran, të ndërmjetësuara nga Pakistani në Islambad, kanë hyrë në orën e 6-të të tyre dhe sipas mediave ndërkombëtare pritet të vazhdojnë gjatë orëve të natës dhe ditën e nesërme.
Ndonëse të dyja palët kanë mbajtur qëndrime maksimaliste në tryezë, janë vërejtur lëvizje pozitive në disa prej çështjeve kryesore.
Mes tyre përfshihen tensionet e lidhura me sulmet izraelite ndaj Libanit, çështja e zhbllokimit të aseteve iraniane, si dhe diskutimet mbi Ngushticën e Hormuzit.
(A2 Televizion)