Rama: Nga janari dyfishojmë rritjen e pensioneve, 200 milionë euro shtesë për pensionistët

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2026, 11:58 | Politikë

Rama: Nga janari dyfishojmë rritjen e pensioneve, 200 milionë euro

Nga janari 2027 do të dyfishohet rritja e pensioneve. Këtë deklaroi nga foltorja e Kuvendit kryeministri Edi Rama teksa ka prezantuar buxhetin 2027, sipas të cilit për këtë kategori janë parashikuar 20 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro. Ai u zotua se dyfishimi i rritjes së pensioneve do të vijojë çdo vit pasardhës.

“Nëse ka një kategori të shoqërisë sonë që meriton të ndiejë më shumë nga përfitimet e rritjes ekonomike, padiskutim është kategoria e pensionistëve. Këtë e them me vetëdije të plotë, e them në emër të të gjithë juve, se në mënyrë të vazhdueshme, njësoj si unë dhe të gjithë ju, ndesheni me këtë nevojë që vjen si rezultat i një marrëdhënieje të patjetërsueshme të kësaj partie me atë kategori. Pensionistët ende i bëjnë llogaritë me laps dhe letër, dhe këta honxhoponxhot këtu mendojnë se mund t’i tollovisin me llogaritë e tyre kokëposhtë. Pensionistët e dinë më mirë se ç’do të thotë të rrisësh një ekonomi me mund dhe të shpërndash atë që del nga mundi. Edhe pensionet nuk rriten nga dëshira, por me ekonomi. Nga janari dyfishojmë rritjen e vitit që lëmë pas dhe do t’i qëndrojmë këtij zotimi çdo vit pasardhës, me dyfishim krahasuar me vitin e parë. Janë 20 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro, që janë vetëm për këtë dyfishim të rritjes për pensionistët", tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos