Sinjale pozitive nga Islambadi, zyrtarët e SHBA takohen ballë për ballë me iranianët, raundi i parë zgjat më pak se dy orë

Nga A2 CNN
11 Prill 2026, 18:36 | Bota

Sinjale pozitive nga Islambadi, zyrtarët e SHBA takohen ballë për

Sinjale optimiste po vijnë nga Islambadi, ku ka përfunduar raundi i parë i bisedimeve mes SHBA-ve dhe Iranit, i cili ka zgjatur më pak se dy orë, raporton A2CNN. 

Sipas "Associated Press", duke cituar Shtëpinë e Bardhë, pjesë e negociatave ka qenë edhe zv.presidenti amerikan JD Vance, i cili së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë ka zhvilluar bisedime ballë për ballë me delegacionin iranian.

Pas rreth dy orësh diskutimesh intensive, palët kanë bërë një pushim të shkurtër për konsumimin e darkës, përpara se të rifillonin sërish negociatat, në një proces që konsiderohet ende delikat dhe në zhvillim.

Ndonëse të dyja palët kanë mbajtur qëndrime maksimaliste në tryezë, janë vërejtur lëvizje pozitive në disa prej çështjeve kryesore. Mes tyre përfshihen tensionet e lidhura me sulmet izraelite ndaj Libanit, çështja e zhbllokimit të aseteve iraniane, si dhe diskutimet mbi Ngushticën e Hormuzit.

Po ashtu, në tryezë janë trajtuar edhe disa pika të tjera të ndjeshme të marrëdhënieve dypalëshe. Disa prej zyrtarëve kanë folur në kushte anonimiteti, duke qenë se u është kërkuar të mos komentojnë publikisht mbi ecurinë e negociatave.

Bisedimet pritet të vijojnë edhe në orët në vijim, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje zhvillimet në këtë proces me rëndësi të lartë gjeopolitike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos