ISHP: 12 raste me malarie në Shqipëri gjatë 2022-2026, të gjitha të importuara

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2026, 12:13 | Aktualitet

ISHP: 12 raste me malarie në Shqipëri gjatë 2022-2026, të

Pas konfirmimit të fundit të një rasti me malarie në vendin tonë, i një shtetasi të huaj ka reaguar Instituti i Shëndetit Publik. ISHP bën të ditur rasti i fundit është trajtuar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSUT dhe pacienti është larguar nga spitali në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Sipas ISHP-së, gjatë periudhës 2022-2026 në Shqipëri janë raportuar 12 raste me malarie, të gjitha të importuara dhe pa asnjë evidencë të transmetimit brenda vendit.

Instituti thekson se malaria nuk përbën një sëmundje me transmetim endemik në Shqipëri. Ndërkohë, specialistë të epidemiologjisë dhe entomologjisë po kryejnë vlerësime në terren, ndërsa situata vijon të monitorohet nga strukturat e shëndetit publik.

ISHP: Malaria në Shqipëri, raste sporadike të importuara dhe pa evidencë të transmetimit në vend

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) informon se malaria vijon të mos përbëjë një sëmundje me transmetim endemik në Shqipëri. Rastet e evidentuara ndër vite kanë qenë sporadike dhe të importuara, si rezultat i ekspozimit ndaj infeksionit në vende ku malaria është endemike.

Rasti i fundit i raportuar është trajtuar në kohë dhe në përputhje me protokollet përkatëse mjekësore, në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë Qendrës Spitalore Universitare „Nënë Tereza”. Pas marrjes së trajtimit dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, pacienti ka dalë nga spitali dhe aktualisht paraqitet në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Situata epidemiologjike në Shqipëri

Sipas të dhënave të Sistemit Elektronik të Sëmundjeve Infektive (SISI), gjatë periudhës 2022–2026 në Shqipëri janë raportuar gjithsej 12 raste me malarie, të shpërndara si më poshtë:

Viti         Numri i rasteve

2022       1

2023       5

2024       3

2025       2

2026       1

Gjithsej                12

Të gjitha rastet e raportuara gjatë kësaj periudhe janë klasifikuar si raste të importuara, me ekspozim ndaj infeksionit jashtë territorit të Shqipërisë. Gjatë pesë viteve të fundit nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit autokton të malaries në vendin tonë.

Në kuadër të vlerësimit të situatës, një ekip multidisiplinar i Institutit të Shëndetit Publik, me specialistë nga sektorët e Epidemiologjisë, Entomologjisë dhe Shëndetit në Punë, po kryen vlerësimin përkatës epidemiologjik dhe entomologjik në terren.

ISHP vijon të monitorojë situatën përmes sistemit të survejancës epidemiologjike dhe bashkëpunimit me strukturat shëndetësore, me qëllim identifikimin dhe trajtimin në kohë të çdo rasti.

Instituti i Shëndetit Publik thekson se rastet e malaries të raportuara në Shqipëri janë sporadike dhe të importuara. Nuk ka evidencë të transmetimit të malaries brenda vendit. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse të shëndetit publik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos