Autoritetet argjentinase kanë publikuar pamjet e arratisjes spektakolare të një ish-anëtari të Brigadave të Kuqe, organizatës ekstremiste marksiste italiane, përgjegjëse për disa sulme terroriste dhe vrasjen e ish-kryeministrit Aldo Moro.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur Leonardo Bertulazzi, 74 vjeç, bie në trotuar, pasi hidhet nga apartamenti ku mbahej në arrest shtëpiak në Buenos Aires të Argjentinës, shkruan a2 CNN.
Sipas një deklarate të autoriteteve lokale, Bertulazzi kishte një byzylyk elektronik në kyçin e këmbës dhe ishte nën mbikëqyrjen e policisë. Por ai përdori një mënyrë të pazakontë për të çaktivizuar byzylykun elektronik, përpara se të hidhej nga kati i pestë i banesës.
Sipas mediave ndërkombëtare, ngjarja ndodhi të martën në mëngjes, rreth orës 06:00, kur pjesa më e madhe e forcave të sigurisë ishte e përqendruar te masat për vizitën e Papës në Argjentinë.

Bertulazzi dyshohet se përdori dhjamë derri për të mbështjellë byzylykun elektronik të gjurmimit, të cilin e mbështolli me një batanije elektrike për ta ngrohur. Në këtë mënyrë, ai arriti të shmangte sensorët e temperaturës dhe presionit, duke bërë të mundur çaktivizimin e monitorimit.
Më pas, 74-vjeçari zbriti me litar nga apartamenti i tij në katin e pestë, kapërceu një hapësirë të lirë pas ndërtesës dhe kaloi një portë metalike për të dalë në rrugë.
Policia konstatoi se pajisja kishte ndaluar së transmetuari të dhënat e lëvizjes dhe u drejtua drejt banesës, por e gjeti atë bosh. Dy javë më parë, sistemi kishte sinjalizuar gjithashtu ndërhyrje të mundshme në byzylykun elektronik.
Bertulazzi ishte arrestuar në vitin 2024 dhe mbahej në arrest shtëpiak për arsye shëndetësore, në pritje të ekstradimit drejt Italisë, ku është dënuar me 27 vite burg. Avokati i tij kishte deklaruar se 74-vjeçari kishte pësuar tre goditje në tru gjatë qëndrimit në paraburgim dhe kishte vështirësi në ecje.

Ish-anëtari i Brigadave të Kuqe ishte dënuar në mungesë në Itali për përfshirjen në aktivitete terroriste. Organizata ku ai kishte mbajtur një pozicion drejtues është përgjegjëse për një seri sulmesh gjatë viteve 1970, përfshirë rrëmbimin dhe vrasjen e ish-kryeministrit italian Aldo Moro në vitin 1978.
Pas arratisjes, Ministria e Sigurisë në Argjentinë ofroi 20 milionë pesos, rreth 13 mijë dollarë, për informacione që ndihmojnë në kapjen e tij. Ndërkohë, autoritetet italiane kanë kërkuar rikapjen e menjëhershme të 74-vjeçarit.
Vajza e tij, Claudia, deklaroi se i ati nuk kishte pasur zgjidhje tjetër, pasi gjykata kishte rrëzuar kërkesën për ruajtjen e statusit të refugjatit. Ajo konfirmoi gjithashtu se Bertulazzi kishte qenë alpinist, çka e bëri të mundur zbritjen nga kati i pestë. (A2 Televizion)