
Vëllai i ish-peshëngritësit të njohur Pirro Dhima është arrestuar në Greqi, pasi dyshohet për furnizimin dhe administrimin e substancave të ndaluara te sportistët.
58-vjeçari Odise Dhima u vu në pranga mëngjesin e së enjtes, në një zonë të Atikës. Sipas hetimeve, ai dyshohet se, duke ushtruar aktivitetin si trajner i peshëngritjes, siguronte dhe u shpërndante sportistëve substanca dopingu që prej prillit të vitit 2024.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në një banesë dhe në ambiente sportive në Atikë, autoritetet greke sekuestruan 871 njësi medikamentesh dhe substancash të paligjshme dopingu, në formën e tabletave dhe ampulave.
Sipas autoriteteve greke, këto preparate nuk ishin të miratuara nga Organizata Kombëtare e Barnave dhe paraqisnin rrezik për shëndetin.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan gjithashtu 15 mijë euro cash, 17 kartela sportistësh, shënime të shkruara me dorë dhe një telefon celular.
Sipas akuzës, 58-vjeçari dyshohet se e ushtronte këtë aktivitet prej më shumë se 14 vitesh. Hetimet pretendojnë se ai u kishte siguruar substanca të ndaluara edhe sportistëve të tjerë, përfshirë djalin e tij. (A2 Televizion)