
Dhjetëra shtete publikuan një deklaratë të përbashkët në Kombet e Bashkuara të enjten, duke dënuar “sjelljen agresive të papranueshme” ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Libani dhe duke bërë thirrje për rritjen e mbrojtjes së tyre, pas vdekjes së tre ushtarëve indonezianë.
Gjithsej 63 vende dhe Bashkimi Evropian shprehën gjithashtu “shqetësim të thellë për situatën humanitare në Liban, veçanërisht për numrin e madh të viktimave civile, shkatërrimin e gjerë të infrastrukturës civile dhe zhvendosjen masive të më shumë se një milion njerëzve”.
Deklarata u lexua nga ambasadori i Indonezisë në OKB, Umar Hadi, i shoqëruar nga dhjetëra përfaqësues të vendeve që e mbështetën atë. Në deklaratë theksohet se sulmet ndaj paqeruajtësve mund të përbëjnë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare dhe se përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës.
Duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë për Misionin e Përkohshëm të OKB-së në Liban (UNIFIL), vendet i kërkuan OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit që “të forcojnë mbrojtjen e paqeruajtësve të OKB-së në një mjedis gjithnjë e më të rrezikshëm”.
Deklarata u bëri thirrje gjithashtu të gjitha palëve që të rikthehen në negociata dhe ritheksoi “angazhimin e fortë për sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe unitetin e Libanit”.
Ambasadori Hadi bëri të ditur se ka sinjale që edhe vende të tjera mund t’i bashkohen deklaratës. Izraeli, Libani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishin mes vendeve të përmendura si nënshkruese.
Një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dënoi sulmet masive të Izraelit në gjithë territorin e Libanit, për të cilat OKB tha se kishin shkaktuar qindra viktima dhe të plagosur civilë.
Sipas OKB-së, gjetjet paraprake të hetimit për vdekjen e tre paqeruajtësve indonezianë në incidente të ndara më 29 dhe 30 mars tregojnë se njëri u vra nga një predhë tanku izraelit, ndërsa dy të tjerët nga një mjet shpërthyes i improvizuar, që besohet të jetë vendosur nga Hezbollah. (A2 Televizion)