Portugalia shpalli një ditë zie kombëtare pas tragjedisë së ndodhur në zemër të Lisbonë. Mbrëmjen e së mërkurës, një prej dy vagonëve të tramvajit elektrik që çon në lagjen më të lartë të qytetit, Barrio Alto, u aksidentua në kryeqytetin portugez duke shkaktuar të paktën 17 viktima e 20 të plagosur. Elevador de Gloria, siç njihet ashensori ikonik 140-vjeçar, mjaft popullor mes turistëve doli nga shinat dhe u përplas me një godinë të afërt në La Calçada da Glória. Siç mësohet shtetas të huaj janë mes viktimave, edhe pse identitet e tyre nuk janë konfirmuar ende. 5 nga të plagosurit janë në gjendje kritike për jetën.
Kryebashkiaku i Lisbonës Carlos Moedas e cilësoi këtë si një ditë tragjike për qytetin. Pamje të postuara në rrjetet sociale treguan tramvajin e verdhë të përmbysur në rrugën më kalldrëm dhe njerëz që vraponin mes tymit që mbushi ajrin në zonë. Disa pasagjerë mbetën të bllokuar në rrënoja dhe u desh ndërhyrja e ekipeve të emergjencës për nxjerrjen e tyre.
Autoritetet nuk kanë konfirmuar shkakun e aksidentit por dëshmitarë sugjerojnë se sistemi i frenimit në ashensorin e famshëm kishte dështuar duke bërë që të binte me shpejtësi poshtë rrugës së pjerrët duke u përplasur me një ndërtesë.
Një dëshmitar tha për mediat portugeze se tramvaji qe mund të mbajë deri në 40 persona ishte përplasur pas godinës me forcë brutale dhe se ishte shkatërruar si kuti kartoni.
Operatori i transportit publik Carris garantoi se ishin kryer të gjitha protokollet e mirëmbajtjes, me kontrolle të rregullta mujore e javore. Elevador de Gloria, me ngjyrën e verdhë simbol të transportit të Lisbonës, është një prej atraksioneve më të famshme turistike. Ai u hap në 1885 dhe u elektrifikua tri dekada më vonë.
Mjetet historike janë pjesë thelbësore e një qyteti në kodër si Lisbona, dhe për udhëtimin deri në 275 metra lartësi nga sheshi i Restauradores deri në Bairro Alto , siç njihet lagjja më e lartë, duhen vetëm 3 minuta. (A2 Televizion)