
Ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro është sërish në qendër të zhvillimeve politike dhe gjyqësore, pasi gjykatësi i Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes i dha atij 48 orë kohë për t'iu përgjigjur akuzave të policisë federale se ai planifikonte të largohej nga vendi dhe të kërkonte strehim në Argjentinë.
Ultimatumi u lëshua pasi u publikua një dokument i gjetur në celularin e tij, i cili përfshinte një draft kërkese për azil drejtuar Presidentit argjentinas Javier Milley.
Në tekstin pa datë dhe pa nënshkrim, Bolsonaro pretendoi se përballej me "arrestim të menjëhershëm" për arsye politike dhe kërkoi “mbrojtje urgjente". Edhe pse qeveria e Milley mohoi të ketë marrë një kërkesë të tillë, policia thotë se ky është një tregues i qartë i një plani për t'u larguar nga vendi për të shmangur ndjekjen penale.
Zbulimi vjen vetëm disa ditë para përfundimit të gjyqit të tij për përpjekjen për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2022, zgjedhje që ai i humbi ndaj Luiz Inácio Lula da Silva.
Bolsonaro ka qenë në arrest shtëpie që nga fillimi i gushtit, i akuzuar për shkelje të një urdhri të Gjykatës Supreme që e ndalon atë të përdorë mediat sociale.
Afati i fundit i vendosur nga de Moraes ka nxitur shqetësime midis mbështetësve të tij se ish-presidenti 70-vjeçar mund të arrestohet para se të fillojë faza përfundimtare e gjyqit më 2 shtator.
Avokati i tij, Paulo da Cunha Bueno, pranoi se atij i ishte ofruar ideja e arratisjes në Argjentinë, por këmbënguli që klienti i tij e refuzoi atë. "Arratisja nuk ishte kurrë një mundësi", tha ai. (A2 Televizion)