“Do e djegim të gjithë Teheranin”, ministri i Mbrojtjes i Izraelit kërcënon Iranin

Nga Erjon Dervishi
14 Qershor 2025, 14:49 | Bota

Pak orë pasi Irani sulmoi Izraelin, një paralajmërim i fortë ka ardhur nga ky i fundit. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka kërcënuar Iranin dhe udhëheqësin e tij suprem, Ali Khamenei, me pasoja të rënda për sulme të mëtejshme ndaj zonave civile në vend.

“Nëse Khamenei vazhdon të qëllojë me raketa popullsinë civile izraelite, Teherani do të digjet”, tha Katz pas një takimi me shefin e Shtabit të Ushtrisë, shkruan A2.

Katz shtoi se: “Diktatori iranian po e mban peng popullin e Iranit dhe po tregon se ata, veçanërisht banorët e Teheranit, do të paguajnë një çmim të lartë për dëmin kriminal të shkaktuar ndaj qytetarëve izraelitë”.

Bëhet e ditur se ushtria izraelite ka njoftuar sulme të mëtejshme ndaj kryeqytetit iranian.

“Avionët luftarakë do të rifillojnë sulmet e tyre ndaj objektivave në Teheran. Rruga drejt Iranit është shtruar”, deklaroi ushtria.

Nga ana e tij, Irani ka paralajmëruar SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën kundër mbështetjes së Izraelit në sprapsjen e sulmeve iraniane, duke thënë se në të kundërt Republika Islamike do të shënjestronte bazat dhe anijet e tyre në rajon, raportoi media shtetërore iraniane.

Kjo vlen nëse këto vende përpiqen të ndalojnë sulmet iraniane ndaj Izraelit. Po ashtu, Irani ka bërë të ditur se ka zhvendosur pajisjet në një vend të sigurt përpara sulmit ndaj centralit bërthamor të fortifikuar në Fordow. Dëmi jashtë centralit është i menaxhueshëm, tha zëdhënësi i Organizatës Iraniane të Energjisë Atomike, Behrus Kamalwandi, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.

Një pjesë e madhe e pajisjeve dhe materialeve është zhvendosur në zona të sigurta. Centrali bërthamor i Fordow ndodhet rreth 100 kilometra në jugperëndim të Teheranit. Atje janë instaluar edhe centrifuga për pasurimin e uraniumit. Objekti ndodhet thellë nën tokë dhe mbrohet nga armë kundërajrore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos