
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se Uashingtoni është gati të rifillojë sulmet ndaj Iran nëse bisedimet për paqe dështojnë.
Në një prononcim për New York Post, Trump u shpreh se vendimi do të bëhet i qartë brenda një kohe shumë të shkurtër.
“Do ta zbulojmë brenda rreth 24 orësh, do ta dimë së shpejti,” deklaroi ai.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se forcat amerikane janë në gatishmëri të plotë, duke zbuluar se anijet luftarake po pajisen me armatim të avancuar.
“Kemi një rivendosje në plan. Po i ngarkojmë anijet me municionet më të mira, armët më të mira të prodhuara ndonjëherë,” u shpreh Trump, duke shtuar se nëse nuk arrihet një marrëveshje, ato “do të përdoren me shumë efikasitet”.
Deklarata vjen në një moment kritik, teksa negociatat për uljen e tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit po zhvillohen në Islamabad, ku palët synojnë të shmangin një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Më herët gjatë ditës, Trump reagoi edhe në rrjetin e tij social Truth Social, ku përmendi një “rivendosje më të fuqishme në botë”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
(A2 Televizion)