Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu premtoi një hakmarrje të fortë kundër Hamasit, pasi orgianizata militante nuk ktheu trupin e Shiri Bibas siç ishte rënë dakord.
Një situatë e tillë sipas Netanyahut kërcënon edhe vazhdimin e marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, shkruan A2 CNN.
Specialistët izraelitë thanë se një nga katër trupat e dorëzuar nga Hamasi të enjten ishte një grua e paidentifikuar dhe jo Bibas. Netanyahu akuzoi Hamasin se po vepronte "në një mënyrë cinike të papërshkrueshme" duke vendosur trupin e një gruaje nga Gaza në arkivol në vend të Bibas.
"Shteti i Izraelit ka ulur kokën në shenjë dëshpërimi para fëmijëve të vegjël, foshnjave, vëllezërve - Ariel dhe Kfir Bibas dhe për Oded Lifshitz, një nga themeluesit e Kibbutz Nir Oz. Të tre u vranë me mizori të tmerrshme të Hamasit në javët e para të robërisë së përbindëshit të luftës. Ata jo vetëm që rrëmbyen babanë Yarden Bibas, nënën e re Shiri dhe dy foshnjat e tyre të vogla në një mënyrë të papërshkrueshme dhe cinike, por ata nuk ia kthyen Shirin fëmijëve të saj, engjëjve të vegjël dhe e futën në një arkivol. Ne do të veprojmë me vendosmëri për ta sjellë Shirin në shtëpi së bashku me të gjithë pengjet tanë - të gjallë dhe të vdekur - dhe të sigurojmë që Hamasi të paguajë çmimin e plotë për këtë shkelje mizore dhe djallëzore të marrëveshjes", tha Netanyahu.
Ismail Al-Thawabta, drejtor i zyrës së mediave të qeverisë së Gazës, të drejtuar nga Hamasi, tha se mbetjet e Shiri Bibas duket se janë përzier me mbetje të tjera njerëzore pasi u varrosën në rrënojat e një ndërtese të shkatërruar nga një sulm ajror izraelit.
“Vetë Netanyahu ka lëshuar urdhrat për bombardimin e drejtpërdrejtë dhe të pamëshirshëm dhe ai mban përgjegjësinë e plotë për vrasjen e saj dhe fëmijëve të saj”, tha ai në një deklaratë.
Hamasi tha në nëntor 2023 se fëmijët dhe nëna e tyre ishin vrarë në një sulm ajror izraelit. Netanyahu nuk dha detaje mbi një përgjigje të mundshme izraelite, por incidenti nënvizon brishtësinë e marrëveshjes së armëpushimit të arritur me mbështetjen e SHBA-së dhe me ndihmën e ndërmjetësuesve të Katarit dhe Egjiptit muajin e kaluar. (A2 Televizion)