
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shkaktuar një debat të ri me Danimarkën pas emërimit të një të dërguari të posaçëm në Groenlandë, ishullin e madh arktik që ai ka thënë se do të donte ta aneksonte.
Sipas mediave të huaja, Trump njoftoi të dielën se Jeff Landry, guvernatori republikan i Luizianës, do të bëhet i dërguari special i SHBA-së në Groenlandë, një pjesë gjysmë-autonome e Mbretërisë së Danimarkës.
Guvernatori Landry tha në një postim në rrjetin social ‘X’ se ishte një nder të shërbente në një "pozicion vullnetar për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së".
Ky veprim ka zemëruar Kopenhagenin, i cili tha se do të thërrasë ambasadorin e SHBA-së për "një shpjegim". Kryeministri i Groenlandës tha se ishulli duhet të "vendosë vetë për të ardhmen e tij" dhe se "integriteti i tij territorial duhet të respektohet".
Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ringjallur interesin e tij të hershëm për Groenlandën, duke përmendur vendndodhjen e saj strategjike dhe pasurinë minerale, shkruan A2 CNN.
Ai ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës për të siguruar kontrollin e ishullit, një qëndrim që ka tronditur Danimarkën, një aleate të NATO-s që tradicionalisht ka gëzuar marrëdhënie të ngushta me Uashingtonin.
Groenlanda, shtëpia e rreth 57,000 banorëve, ka pasur vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, megjithëse mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten në duart e danezëve. Ndërsa shumica e banorëve të Groenlandës mbështesin pavarësinë përfundimtare nga Danimarka, sondazhet e opinionit publik tregojnë kundërshtim dërrmues ndaj bashkimit me SHBA-në. (A2 Televizion)