
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, deklaroi të enjten gjatë një seance dëgjimore përpara Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve se objektivat e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në fushatën ushtarake kundër Iranit nuk janë të njëjta.
“Objektivat që janë përcaktuar nga presidenti janë të ndryshme nga ato që janë përcaktuar nga qeveria izraelite,” u shpreh Gabbard.
“Ajo që shohim nga operacionet është se qeveria izraelite është fokusuar në dobësimin e lidershipit iranian. Ndërsa presidenti ka deklaruar se objektivat e tij janë shkatërrimi i kapaciteteve të Iranit për lëshimin e raketave balistike, prodhimin e tyre, si dhe forcën detare,” shtoi ajo.
Këto deklarata vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm dhe bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Izraelit po vihet në fokus për shkak të dallimeve strategjike. Ndërsa të dyja vendet janë aleate të ngushta, qëndrimet e tyre në këtë konflikt tregojnë se secila palë po ndjek prioritete të ndryshme ushtarake dhe politike në raport me Iranin. (A2 Televizion)