Luksemburgu ka forcuar monitorimin e hapësirës ajrore pas raportimeve për dronë të paidentifikuar pranë aeroportit të vendit.
Autoritetet kanë vendosur pajisje të reja për zbulimin dhe gjurmimin e dronëve, ndërsa për monitorimin janë përdorur edhe mjete të siguruara nga vende partnere.
Alarmi u dha të premten në mbrëmje, kur u raportua për disa dronë të paautorizuar pranë aeroportit të Luksemburgut. Si masë paraprake, fluturimet u pezulluan përkohësisht.
Edhe të shtunën në mbrëmje pati raportime të tjera për dronë në hapësirën ajrore të vendit. Pas verifikimeve, policia tha se nuk u konstatua ndonjë situatë që kërkonte ndërhyrje.
Kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, tha se vendi po përballet me një situatë të re, duke përmendur edhe mundësinë që disa prej dronëve të vërejtur të kenë qenë më të mëdhenj se modelet e zakonshme.
Qeveria ka ngritur një njësi të posaçme për monitorimin dhe vlerësimin e situatës. Struktura po bashkëpunon edhe me partnerë të huaj për të ndjekur çdo raportim të ri.
Deri tani nuk raportohet për dëme apo incidente të tjera të shkaktuara nga dronët. Hetimet për origjinën dhe qëllimin e tyre vijojnë. (A2 Televizion)