
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ndodhet në Sarandë, ku po zhvillon një mbledhje urgjente me drejtuesit vendorë të Policisë, pas vrasjes së 44-vjeçarit Artan Myrtaj.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:00 të kësaj të diele, në zonën e njohur si “Ish-Agjencia”. Myrtaj u qëllua disa herë me armë zjarri dhe humbi jetën. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit.
Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona, të cilët lëviznin me motor dhe mbanin skafandra. Pas krimit, ata janë larguar nga vendngjarja.
Policia ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa grupi hetimor po punon për gjetjen e provave dhe identifikimin e autorëve.
Artan Myrtaj ishte i njohur më parë për policinë. Ai ishte arrestuar në lidhje me një ngjarje kriminale të ndodhur në Sarandë në korrik të vitit 2025. (A2 Televizion)