
Në vend të paqes, raketa dhe dronë. Rusia lëshoi një tjetër sulm masiv ndaj Ukrainës. Në shënjestër përfunduan disa rajone, përfshirë kryeqytetin Kiev. Forcat ruse lëshuan “22 raketa të llojeve të ndryshme dhe mbi 460 dronë kundër Ukrainës gjatë natës”, duke shkaktuar vdekje dhe lëndime.
“Disa dronë fluturuan drejt Moldavisë dhe Rumanisë”, deklaron presidenti ukrainas Voldodymyr Zelensky në Telegram. “Objektivat kryesore ishin rrjetet energjitike dhe gjithçka që siguron jetë normale”, tha ai, duke përmendur dronët në Moldavi dhe Rumani, dhe duke theksuar: “Kjo është arsyeja pse të gjithë partnerët duhet të kujtojnë se ne duhet të shpëtojmë jetë çdo ditë. Armët dhe mbrojtja ajrore janë thelbësore. Nuk duhet të ketë ndërprerje të ndihmës”.
Të paktën gjashtë persona janë vrarë në sulmin rus në Kiev. Këtë e konfirmoi kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit. Gjithashtu janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit në disa zona të qytetit.
Kryetari i bashkisë së kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko, e njoftoi lajmin në Telegram, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimore. Ndërkohë, banorët në zonën e qytetit Floresti në Moldavi janë evakuuar pasi një dron u rrëzua gjatë natës së sulmit të madh rus në Ukrainë, njofton policia moldave.
Avionë luftarakë të NATO-s u ngritën në Rumani për të mbrojtur hapësirën ajrore të saj pasi të paktën një dron rus shkeli hapësirën ajrore rumune pranë kufirit me Ukrainën, njoftoi Ministria rumune e Mbrojtjes.
Sakaq, edhe forcat e Kievit kanë lëshuar sulme me dronë në territorin e Rusisë. Të paktën 3 viktima raportohen në Rostov, ndërsa në Krasnodar pati vetëm 6 të plagosur. (A2 Televizion)
