Tërmet i fuqishëm 7.6 ballë në Panama, paralajmërime për cunami

Nga A2 CNN
9 Tetor 2026, 21:05 | Bota

Tërmet i fuqishëm 7.6 ballë në Panama, paralajmërime

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.6 ballë ka goditur Panamanë, duke shkaktuar paralajmërime për cunami përgjatë bregdetit perëndimor të Amerikës Qendrore dhe asaj të Jugut, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS).

Sipas USGS-së, goditja e tërmetit u regjistrua përgjatë bregdetit jugor të vendit. Epiqendra u lokalizua pranë skajit jugor të Panamasë, rreth 14 kilometra në jugperëndim të komunitetit të izoluar Pitaloza Arriba.

Instituti i Gjeoshkencave i Universitetit të Panamasë bëri të ditur se lëkundjet u regjistruan pak para orës 13:00, sipas orës lokale, pranë qytetit jugor Tonosí. Instituti panamez njoftoi gjithashtu se pak më vonë, në orën 13:22, u regjistrua një tjetër tërmet me magnitudë 6.0.

Gazeta lokale La Prensa raportoi se në të gjithë vendin, ndërtesat, shkollat dhe banesat u evakuuan pas “lëkundjes së fuqishme të tokës”.

Sipas dëshmitarëve që folën për agjencinë e lajmeve Reuters, lëkundjet u ndien fuqishëm edhe në kryeqytetin e Panamasë, Panama City.

Ndërkohë, agjencia Associated Press raportoi se ndërtesat u tronditën dhe banorë të shqetësuar u mblodhën jashtë tyre, në pritje të informacioneve për pasojat e tërmetit.

USGS paralajmëroi se dallgë të rrezikshme mund të krijoheshin përgjatë brigjeve të Kosta Rikës, Ekuadorit, Perusë, Nikaraguas, Guatemalës, El Salvadorit dhe Meksikës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos