Jorida Tabaku kandidate për Bashkinë e Tiranës? Demokratja: E dua Tironën me gjithë shpirt, por…

Nga A2 CNN
9 Tetor 2026, 22:28 | Politikë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar mundësinë e një kandidimi të saj për Bashkinë e Tiranës, duke lënë të kuptohet se aktualisht dëshiron të vijojë angazhimin e saj politik në Kuvend.

E ftuar në emisionin “Çdo Kënd”, me Merita Haklajn, Tabaku u shpreh se Tirana mbetet një nga pasionet e saj më të mëdha, ndërsa kujtoi edhe përvojën e mëparshme në administrimin e kryeqytetit, ku ka mbajtur postin e nënkryetares së bashkisë.

“E dua me gjithë shpirt Tironën dhe, në qoftë se ka një gjë të dytë që e kam me shumë pasion, është politika. Aq më mirë kur mblidhen të dyja bashkë”, u shpreh Tabaku.

“Është një kënaqësi shumë e veçantë kur shumë njerëz mendojnë që unë mund të jem një profil për këtë, por unë e kam kaluar dhe e kam ezauruar atë fazë. Unë sot jam në këtë përballje në parlament sepse aty doja të isha”, deklaroi ajo.

“Është një proces që do të vazhdojë Partia Demokratike, por është dëshira ime që unë të vazhdoj dhe të fokusohem në parlament, sepse për atë jam votuar që të bëj”, tha deputetja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos