Vrau gruan dhe vëllanë e saj, detaje nga ngjarja e rëndë në Gjilan, 30-vjeçarja me 8 plumba në trup

Nga A2 CNN
9 Tetor 2026, 23:11 | Aktualitet

Vrau gruan dhe vëllanë e saj, detaje nga ngjarja e rëndë

I dyshuari për vrasjen e një 30-vjeçareje dhe vëllait të saj në fshatin Livoç i Ulët, në Gjilan, është vetëdorëzuar në polici pak minuta pas ngjarjes së rëndë. Ndërkohë, personi i tretë i plagosur, i cili sipas informacioneve është xhaxhai i gruas, ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

Detaje të reja janë bërë publike nga policia dhe mjekët për ngjarjen e ndodhur të premten. Sipas mjekut Suat Haliti, 30-vjeçarja që humbi jetën kishte tetë plagë nga arma e zjarrit në trup.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, bëri të ditur se policia u njoftua për të shtënat rreth orës 14:25. Njësitet policore mbërritën me urgjencë në vendngjarje, ku konstatuan se dy persona kishin humbur jetën dhe një tjetër ishte plagosur.

I plagosuri u dërgua fillimisht në Spitalin e Gjilanit, por për shkak të gjendjes së rëndë u transportua më pas drejt QKUK-së në Prishtinë.

Mjeku Suat Haliti deklaroi se pacienti mbërriti në spital në gjendje kritike dhe iu administruan doza gjaku përpara transferimit.

Ndërkohë, drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, konfirmoi për KosovaPress se, pas ekzaminimeve, i plagosuri u dërgua në sallën operative për ndërhyrje nga ekipet e kirurgjisë abdominale, urologjisë dhe anestezisë. Pas operacionit, ai pritet të transferohet në Mjekimin Intensiv Qendror.

Sa i përket autorit të dyshuar, Hashani tha se ai u vetëdorëzua në Stacionin Policor në Gjilan brenda një kohe të shkurtër pas ngjarjes. I dyshuari është marrë në pyetje nga hetuesit rajonalë në prani të avokatit mbrojtës, në përputhje me procedurat ligjore.

“Për momentin nuk dihen motivet e rastit. Edhe forenzika, edhe hetuesit dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe me përkushtimin më të madh po i hetojmë rrethanat”, deklaroi zëdhënësi i policisë.

Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në krim.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore, po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të përcaktuar motivin dhe për të dokumentuar rastin, raporton KosovaPress. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos