Irani zhvilloi sulmin më intensiv dhe më të rëndë që nga fillimi i luftës në rajon. Këtë e raportuan mediat në Teheran duke cituar një deklaratë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. Irani pretendoi se sulmi i tij gjatë natës përfshinte lëshime raketash, përfshirë raketën e tij balistike me rreze të gjatë veprimi Khorramshahr, kundër objektivave në Izrael dhe në asetet amerikane në rajon, sipas transmetuesit shtetëror IRIB.
Në shënjestër përfundoi gjithashtu Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Iraku dhe Kuvajti. Katër persona u plagosën kur dy dronë ranë pranë aeroportit të Dubait, megjithatë trafiku ajror nuk është prekur.
Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të reja ndaj Iranit dhe Libanit. Shpërthime të fuqishme u raportuan në Teheran, përfshië në një aeroport të rëndësishëm. Ushtria amerikane thotë se ka “eliminuar” 16 anije iraniane që vendosnin mina në Ngushticën e Hormuzit, pasi Presidenti Donald Trump paralajmëroi Iranin të mos “vendoste asnjë minë” atje.
Ndërkohë, tre anije tregtare janë dëmtuar nga “predha të panjohura” në zonë. Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është “shëndoshë e mirë” pavarësisht lëndimeve të tij. Djali i presidentit iranian, Masoud Pezeshkian, e deklaroi këtë në llogarinë e tij në Telegram.
“Dëgjova se Mojtaba Khamenei ishte plagosur. Pyeta disa miq që kanë kontakte. Ata më thanë se, falë Zotit, ai është shëndoshë e mire”, shkroi Yousef Pezeshkian , i cili është gjithashtu këshilltar qeveritar. New York Times, duke cituar burime iraniane, raportoi se Mojtaba Khamenei ishte i plagosur, përfshirë në këmbë dhe besohet se ndodhet në një vend shumë të sigurt me komunikime të kufizuara, për të mos u lokalizuar nga Izraeli.
Sipas dy burimeve ushtarake në Tel Aviv, establishmenti i sigurisë beson se Khamenei i ri u plagos në këmbë në ditën e parë të luftës, më 28 shkurt, përpara se të zgjidhej Udhëheqës Suprem i Republikës Islamike.
Ndërkohë, shefi i policisë së Iranit tha se çdo iranian që mendon të protestojë kundër qeverisë do të trajtohet “në të njëjtën mënyrë siç veprojmë me armikun. (A2 Televizion)