Dronët serbë në veri, KFOR: Nuk identifikuam shkelje të hapësirës ajrore

Nga A2 CNN
26 Shtator 2025, 19:07 | Bota

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka mohuar se ka pasur shkelje të hapësirës ajrore nga dronë që dyshohet të kenë ardhur nga Serbia.

Pas alarmit të ngritur nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, për prezencën e dronëve në veri, përmes një përgjigje për A2 CNN, KFOR tha se nuk ka pasur cenim të sigurisë nga qielli.

“Ne nuk kemi identifikuar shkelje të hapësirës ajrore me dronë që mund të ndikojnë në sigurinë në të gjithë territorin e Kosovës. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, prandaj KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, duke përdorur të gjitha mjetet dhe kapacitetet që ka në dispozicion”

KFOR shtoi se është në kontakt të ngushtë me institucionet e sigurisë në Prishtinë dhe Beograd ndërsa theksoi se është thelbësore që çdo aktivitet pranë vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë të koordinohet me ta në mënyrë që të shmangen tensionet.

Pavarësisht situatës me dronët, Serbia mbetet një shtet armiqësor ndaj Kosovës me tendenca për të nxitur tensione edhe në rajon.

“Ndonëse informata ende nuk janë shumë të besueshme dhe shumë të sakta, megjithatë dihet shumë mirë që Serbia paraqet kërcënim të vazhdueshëm, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin në tërësi me politikat e saj, kërcënimet e saj herë pas herë edhe Kosovës, edhe Bosnje Hercegovinës”, tha Hysen Gecaj.

Mirëmbajtja e raporteve me aleatët strategjikë dhe komunikimi i vazhdueshëm më aktorët e tjerë të sigurisë në Kosovë shihet si e domosdoshme për të përballuar çdo kërcënim të mundshëm.

“Kjo është një mësim faktikisht që duhet të nxirret nga kjo situatë për vet institucionet e tona vendore e që kanë të bëjnë me sigurinë për shkak se kapacitetet tona vendore për situata të këtilla janë të kufizuara”, shton Gecaj.

Vetëm pak ditë më parë, KFOR përmes një vendimi zyrtar e futi zonën ku gjendet Korporata Energjetike e Kosovës, që konsiderohet si pjesë e infrastrukturës kritike, si zonë ku ndalohet fluturimi i pajisjeve pa pilot. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos