Dronët shkelën hapësirën ajrore, Britania merr në mbrojtje Belgjikën

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2025, 11:11 | Bota

Dronët shkelën hapësirën ajrore, Britania merr në

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të dërgojë personel dhe pajisje ushtarake në Belgjikë, për të ndihmuar forcimin e mbrojtjes ajrore pas një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore nga dronë të paidentifikuar, të dyshuar se janë dërguar nga Rusia. Lajmi u konfirmua nga shefi i ri i ushtrisë britanike, Sir Richard Knighton, i cili deklaroi për BBC se homologu i tij belg kishte kërkuar ndihmë këtë javë.

Incidentet shkaktuan mbylljen e përkohshme të aeroportit kryesor të Brukselit, Zaventem, të enjten në mbrëmje, ndërsa dronë të tjerë u panë mbi zona të ndryshme, përfshirë një bazë ushtarake, shkruan A2 CNN. Më shumë se 3000 pasagjerë të Brussels Airlines u prekën nga anulimet dhe devijimet e fluturimeve, duke shkaktuar kosto të konsiderueshme për kompaninë.

Edhe pse Sir Richard nuk konfirmoi origjinën ruse të dronëve, ai e quajti “të besueshme” mundësinë që ato të ishin nisur nga Moska. Dyshimet janë shtuar nga tensionet e rritura në Europën Lindore, ku janë regjistruar shkelje të hapësirës ajrore nga avionë luftarakë rusë dhe dronë të mëdhenj sulmues.

Ministrat e Mbrojtjes të Gjermanisë dhe Belgjikës kanë shprehur dyshime të ngjashme, megjithëse ministri belg Theo Francken ka pranuar se ende nuk ka prova konkrete. Ai paralajmëroi se situata po shndërrohet në një kërcënim serioz për infrastrukturën civile në disa vende evropiane.

Ndërkohë, Rusia ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa disa analistë e lidhin situatën me diskutimet e BE-së për përdorimin e fondeve të ngrira ruse për një hua prej 140 miliardë eurosh në mbështetje të Ukrainës.

Britania ka intensifikuar angazhimin e saj në kuadër të NATO-s, duke dërguar së fundmi avionë RAF Typhoon për misione mbrojtëse mbi Poloni. Sipas Sir Knighton, këto zhvillime janë një kujtesë e fortë se “paqja nuk është kurrë e garantuar dhe duhet mbrojtur, shpesh me kosto të lartë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos