Dronët turq në Kosovë, NATO: Hapësira ajrore të përdoret për të parandaluar tensionet

Nga A2 CNN
10 Tetor 2025, 22:08 | Bota

Dërgimi i Dronëve turq në Kosovë ka sjellë edhe reagimin e parë të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në një prononcim për Radio Europa e Lirë, thuhet se: “Është thelbësore që çdo aktivitet në hapësirën ajrore të Kosovës të bëhet në bashkërendimin e duhur me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të parandaluar tensionet dhe për të garantuar siguri”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet kosovare njoftuan më 8 tetor se pranuan “mijëra” dronë luftarakë nga Turqia, duke nxitur reagime të ashpra nga fqinji verior, Serbia. Zyrtari i NATO-s e vlerësoi Turqinë si kontribuuese të hershme në misionin e udhëhequr nga ajo në Kosovë, KFOR, dhe në stabilitetin rajonal.

“KFOR-i mbikëqyr rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, duke i përdorur të gjitha mjetet dhe burimet që ka në dispozicion, në përputhje me autoritetin dhe mandatin e saj ekzistues, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, tha zyrtari i NATO-s.

Ai theksoi se KFOR-i mbetet i përfshirë “ngushtë në këtë çështje të rëndësishme dhe është në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe me forcat e armatosura të Serbisë për këtë qëllim”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos