Ushtria izraelite njoftoi sot se marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi nga ora 10:00 e mëngjesit sipas kohës së Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas mediave të huaja, si pjesë e marrëveshjes, trupat izraelite në Gaza janë ripozicionuar në vijën fillestare të tërheqjes së rënë dakord, pasi kabineti i Izraelit e miratoi marrëveshjen mbrëmë.
Armëpushimi duhej të hynte në fuqi brenda 24 orëve pas këtij miratimi, shkruan A2 CNN.
Sipas marrëveshjes, Hamasi ka 72 orë kohë për t’ia dorëzuar Izraelit të gjithë pengjet e mbetura, të vdekura ose të gjalla, pasi tërheqja të jetë përfunduar.
Ky hap aktualisht vlerësohet të përfundojë të dielën ose të hënën dhe do të pasohet nga lirimi nga Izraeli i 1,950 të burgosurve palestinezë, shkruan A2 CNN.
Menjëherë pas njoftimit të hyrjes në fuqi të armëpushimit, Benjamin Netanyahu mbajti një fjalim dhe tha se trupat izraelite do të qëndrojnë në Gaza për të vazhduar presionin mbi Hamasin derisa grupi të çarmatoset. (A2 Televizion)