
Dy zjarrfikës grekë humbën jetën pasi mbetën të bllokuar teksa luftonin një zjarr të madh që përfshiu zonën e Rethymnosit, në ishullin e Kretës në Greqi.
Erërat e forta favorizuan përhapjen e flakëve, duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa fshatra. Zjarret janë pjesë e valës së fundit të vatrave që kanë përfshirë Evropën Jugore gjatë kësaj vere.
Edhe në Turqinë jugore situata mbetet kritike. Autostrada kryesore Fethiye–Antalia u mbyll përkohësisht, ndërsa një pjesë e një spitali në provincën Muğla u evakuua për shkak të avancimit të flakëve.
Ndërkohë, Spanja dhe Franca po përballen me valën e katërt të të nxehtit këtë verë. Temperaturat e larta dhe erërat e forta po rrisin rrezikun e riaktivizimit të zjarreve të mëdha që sapo ishin vënë nën kontroll.
Sipas dëshmitarëve, në Kretë shpërthyen disa vatra zjarri që u përhapën me shpejtësi. Fronti më i madh i flakëve arriti një gjatësi prej rreth 15 kilometrash. Departamenti i Zjarrfikësve konfirmoi se dy efektivët që humbën jetën po operonin pranë qytetit të Rethymnosit.
Vatra të tjera zjarri janë raportuar edhe në ishujt Paros dhe Lesbos në Detin Egje, si dhe në zonën e Trifilisë, në Greqinë kontinentale.
Në Spanjë, kryeministri Pedro Sánchez paralajmëroi se 12 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për vënien nën kontroll të zjarrit pranë Madridit. "Situata po përmirësohet, por nevojitet kujdes maksimal", deklaroi ai, duke theksuar se temperaturat e larta, lagështia e ulët dhe erërat e forta vazhdojnë të përbëjnë një rrezik serioz.
Më shumë se 43 mijë hektarë tokë janë përfshirë nga flakët në Burgohondo, në provincën Ávila, rreth 150 kilometra në perëndim të Madridit. Ky konsiderohet tashmë zjarri më i madh i regjistruar në historinë e Spanjës. Në total, që nga fillimi i vitit, zjarret kanë shkrumbuar mbi 207 mijë hektarë tokë në të gjithë vendin. (A2 Televizion)