Çifti Çelaj ishte kthyer nga Gjermania për pushime në fshatin Domën, në Shkodër, por çlodhja në tokën e të parëve u shndërrua në tragjedi.
Bleona Çelaj, 24 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj, 1 vjeç e gjysmë dhe 3 vjeç, humbën jetën nga zjarri i rënë në banesë. Në momentin e ngjarjes, kryefamiljari ndodhej në kafenenë e fshatit pranë, ndërsa vendndodhja e banesës e pamundësonte ndërhyrjen e shpejtë.
Pamjet tregojnë djegien e çatisë, ndërsa zjarrfikësit konstatuan tre viktimat, ku një prej fëmijëve ishte në shtrat, ndërsa nëna e tyre pranë vendit ku gatuante, shkruan A2CNN.
Nga hetimet e para dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, për shkak të rrjedhjes së gazit nga një bombol, që duket se ka qenë e vjetër. Në vendin e ngjarjes ka pasur, po ashtu, edhe një shishe me benzinë, çka ka bërë që flakët të përhapen me shpejtësi.
Drama tronditi jo vetëm banorët e zonës, ndërsa tymi i zi i dalë nga djegia e mbetjeve të fundit të shtëpisë duket se tregon edhe dhimbjen që del prej katër mureve të mbetura shkretë. (A2 Televizion)