Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, ripërsëriti të mërkurën në Gjykatën e Posaçme kërkesën për thirrjen e kryeministrit, Edi Rama, si dëshmitar në procesin ku gjykohet bashkë me ish-bashkëshorten, Monika Kryemadhi.
“E theksoj edhe njëherë thirrjen e Edi Ramës si dëshmitar”, tha Meta nga kafazi i sallës.
Meta tha se në tetor 2024 u rrëmbye, bazuar në një shkresë të falsifikuar të ardhur me letër-porosi nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara.
“Qëllimi ishte rrëmbimi i një partie politike para zgjedhjeve, jo i një njeriu”, nënvizoi ish-presidenti.
Meta konsideroi si të përfshirë në ngritjen e çështjes penale ndaj tij ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.
“Para se ky njeri të vinte në Shqipëri, McGonigal ka qenë në Vjenë. Aty ka informacione se është takuar me Tom Doshin dhe se në takim ka qenë edhe shtetasi Durim Bami”, tha Meta.
Përmes avokatit, ish-presidenti kërkoi edhe pyetjen në cilësinë e të pandehurës të ish-bashkëshortes, Kryemadhi.
Thirrja e Ramës në proces u kërkua edhe nga e pandehura Monika Kryemadhi, e cila mohoi të kishte ndikuar apo përfituar nga marrëveshja e interkoneksionit për fibrat optike në vitin 2014.
Për më shumë se tre orë me radhë, Kryemadhi tha se prokuroria kishte ngritur akuzë mbi bazë deduksioni dhe duke nxjerrë nga konteksti komunikime telefonike mes saj dhe biznesmenit Adrian Shatku.
Për shkak të pushimeve vjetore të gjykatës, seanca gjyqësore e radhës e procesit u caktua për më 10 shtator. (A2 Televizion)