Nga e ka origjinën Covid-19? Fauci refuzon të përgjigjet, senatori nxjerr avokatin jashtë

Nga A2 CNN
29 Korrik 2026, 19:34 | Bota

Ish-zyrtari i lartë i shëndetësisë në SHBA, Anthony Fauci, refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve në një seancë dëgjimore të Senatit të SHBA-së në lidhje me origjinën e pandemisë Covid-19, duke thënë se kishte frikë se ligjvënësit republikanë do të përpiqeshin ta përdornin dëshminë e tij për ta ndjekur penalisht për dëshmi të rreme.

Ai iu referua Amendamentit të Pestë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili përcakton se asnjë individ nuk mund të “detyrohet në asnjë çështje penale të jetë dëshmitar kundër vetes”.

Disa ditë para seancës dëgjimore, senatori republikan Rand Paul publikoi më shumë se 1 mijë faqe nga shënimet e Fauci-t për periudhën e pandemisë, në të cilat ai reflektonte mbi famën e tij dhe origjinën e Covid-19.

“Çdo njeri i arsyeshëm që ka ndjekur fiksimin e tij të vazhdueshëm ndaj meje, do të arrinte pa dyshim në të njëjtin përfundim. Prandaj, ndonëse më vjen keq që më duhet ta bëj këtë – për shkak të respektit që kam për degën legjislative të qeverisjes dhe historikut tim shumëvjeçar të bashkëpunimit me Kongresin – me këshillën e avokatëve të mi, do të ushtroj të drejtën time sipas Amendamentit të Pestë të Kushtetutës për të mos iu përgjigjur pyetjeve tuaja. Ju faleminderit.”

Thirrja e Amendamentit të Pestë nuk përbën një pranim faji. Ai është hartuar për të mbrojtur individët nga detyrimi për të dëshmuar kundër vetes, gabimet procedurale dhe zhvendosja e padrejtë e barrës ligjore.

Fauci tha se “obsesioni i dukshëm” i Paul për të nxitur ndjekjen penale ndaj tij e kishte bërë atë të mos u përgjigjej pyetjeve këtë herë.

“I vetmi përfundim që mund të arrij është se arsyeja e vetme pse ai po më thërret para këtij komiteti është që të më bëjë të them diçka – çfarëdo qoftë – që mund të justifikojë premtimet e tij të përsëritura publike se unë përfundoj, sipas fjalëve të tij, ‘pas hekurave’”, tha Fauci.

Paul vazhdoi ta pyeste Faucin pavarësisht refuzimit të tij për t’u përgjigjur. Seanca dëgjimore u tensionua herë pas here, veçanërisht kur një nga avokatët e Faucit, i cili ishte ulur pranë tij, u përpoq vazhdimisht të ndërhynte gjatë marrjes në pyetje nga Paul.

Paul urdhëroi një roje sigurie që ta largonte avokatin nga salla. Gjatë fjalës së tij hapëse, Paul pretendoi se shënimet e ditarit të Fauci-t binin ndesh me deklaratat që ai u kishte bërë qytetarëve amerikanë në lidhje me origjinën e virusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, në vitin 2025, tha se teoria e origjinës natyrore – sipas së cilës virusi u përhap nga kafshët te njerëzit – ishte hipoteza “më e mbështetur” nga provat në dispozicion. Megjithatë, organizata theksoi se, derisa të dalin më shumë të dhëna, përcaktimi përfundimtar i origjinës së virusit mbetet “i papërfunduar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos