I quajti “tufë budallenjsh”, Gonxhja sqaron deklaratën për protestuesit: E kisha për të dhunshmit

Nga A2 CNN
29 Korrik 2026, 20:52 | Politikë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka sqaruar deklaratën e tij, ku i cilësoi si “tufë budallenjsh” disa protestues, duke theksuar se nuk i është referuar të gjithë pjesëmarrësve në protesta, por vetëm atyre që ushtrojnë dhunë.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Gonxhja u shpreh se termi ishte përdorur për personat që, sipas tij, bllokojnë hyrjet dhe gjuajnë me gurë, duke e deformuar natyrën e protestës.

Duhet ta sqarojmë. Unë kam folur shumë qartë, 25 deri në 100 vetë që gjuajnë me gurë dhe bllokojnë hyrjen, kur luajnë mendsh, gjuajnë me gur dhe e shkelin atë që është natyra e protestës, kthehen në të dhunshëm, ata të dhunshmit kam cilësuar siç the (tufë budallenjsh)”, tha ministri.

I pyetur nga gazetari Andrea Danglli nëse, me këtë logjikë, edhe protestuesit e 21 Janarit do të duhej të cilësoheshin në të njëjtën mënyrë, Gonxhja tha se ngjarjet nuk mund të krahasohen, pasi kanë ndodhur në kontekste krejtësisht të ndryshme.

 “Ngjarjet kanë kontekste të ndryshme. Duhet t’i krahasoni ngjarjet. Ne vijmë aty pas ngjarjesh shumë të rënda, tragjike. Këtu s’janë në analizë ngjarjet e asaj periudhe. Ka ndryshuar tërësisht konteksti. Kryeministria s’ka më asnjë mur rrethues, s’ka fare porta hekuri dhe nga këto të tjerat. Ne jemi në kushte krejt të tjera, kur atyre s’u preket një fije floku. S’u është prekur asnjë qime floku kur protesta është civile dhe qytetare. Kur sulmon Parlamentin po, nuk diskutohet”, u shpreh Gonxhja.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos