E ardhmja e zymtë e Ukrainës, Rutte: Ne duhet ta kthejmë rrjedhën e këtij konflikti

Nga Erjon Dervishi
26 Nëntor 2024, 23:38 | Bota

E ardhmja e Ukrainës është e zymtë. Kështu mendojnë zyrtarët ushtarak dhe ekspertët perëndimor, të cituar nga Agjencia e Lajmeve Reuters.

Forcat ruse po përparojnë në Ukrainë me ritmin më të shpejtë që nga ditët e para të pushtimit të vitit 2022, duke marrë një zonë sa gjysma e madhësisë së Londrës gjatë muajit të kaluar, thanë të martën ekspertët perëndimor të luftës, citon Reuters.  

Lufta po hyn në atë që disa zyrtarë rusë dhe perëndimorë thonë se mund të jetë faza e saj më e rrezikshme, pasi Rusia raportohet se po përdor trupat e Koresë së Veriut në Ukrainë dhe Kievi tani po përdor raketa të furnizuara nga Perëndimi për të sulmuar brenda Rusisë.

Ushtria ruse kapi pothuajse 235 km katror në Ukrainë gjatë javës së kaluar, një rekord javor për vitin 2024, përcjell A2 CNN.

Sakaq, sipas burimeve ushtarake lokale ukrainase, ushtria ruse sulmoi Ukrainën të martën me 188 dronë luftarakë. Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se trupat ushtarake nuk kishin parë kurrë kaq shumë dronë në një sulm të vetëm. Shumica e dronëve u kapën, por ndërtesat e banimit dhe infrastruktura e rëndësishme, si rrjeti kombëtar i energjisë, u dëmtuan. Sipas informacionit të mediave gjermane, Die Welt dhe FAZ, 17 rajone ishin në shënjestër.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje urgjente për më shumë ndihmë ushtarake pas sulmit të paprecedentë rus.

“Mbështetja jonë e ka mbajtur Ukrainën në luftë. Por, ne duhet të shkojmë më tej për të ndryshuar rrjedhën e këtij konflikti,” tha ai në takimin që ai pati me Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në Athinë.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se “po përgatiten veprime kundërpërgjigjeje” ndaj dy sulmeve të reja me raketa amerikane ATACMS nga Ukraina.

Rusia kontrollon 18% të Ukrainës duke përfshirë të gjithë Krimenë, pak më shumë se 80% të Donbasit dhe më shumë se 70% të rajoneve Zaporizhzhia dhe Kherson në jug, si dhe pak më pak se 3% të rajonit lindor Kharkiv, citon agjencia e lajmeve Reuters e bazuar në hartat e perëndimorëve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos