Izraeli ndalon luftën me Hezbollahun, Netanyahu: E miratova planin për tre arsye

Nga Erjon Dervishi
26 Nëntor 2024, 23:25 | Bota

Kabineti i sigurisë së Izraelit votoi për t’i dhënë dritën jeshile miratimit të një marrëveshje armëpushimi me Hezbollahun në Liban. Marrëveshja, sipas zyrtarëve perëndimorë, pritet t’i japë fund përleshjeve ndërkufitare me Hezbollahun dhe muajve lufte në shkallë të gjerë që ka vrarë mijëra njerëz.

Ndërsa marrëveshja nuk është shpallur ende zyrtarisht, besohet se ndërprerja 60-ditore e armiqësive synon të zbatojë Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me shpresën se ajo mund të përbëjë bazën e një armëpushimi të qëndrueshëm, shkruan A2 CNN.

Rezoluta 1701 u miratua për t'i dhënë fund luftës 34-ditore midis Izraelit dhe Libanit në vitin 2006 dhe pat ruajtur qetësinë relative në zonë për gati dy dekada. Kjo zgjati deri të nesërmen e sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar, kur Hezbollahu sulmoi në mënyrë solidare, duke filluar më shumë se një vit konflikti.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha pas përfundimit të mbledhje së kabinetit të sigurisë se do të ishte i gatshëm të zbatonte një marrëveshje armëpushimi me Libanin dhe do t'i përgjigjej me forcë çdo shkeljeje nga Hezbollahu, duke deklaruar se Izraeli do të ruajë "lirinë e plotë ushtarake të veprimit". Në një fjalim televiziv, Netanyahu tha se do ta vendoste marrëveshjen e armëpushimit në kabinetin e tij të plotë më vonë në mbrëmje.

“Ne do të zbatojmë marrëveshjen dhe do t'i përgjigjemi me forcë çdo shkeljeje. Së bashku do të vazhdojmë deri në fitore. Në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara, ne ruajmë lirinë e plotë ushtarake të veprimit. Nëse Hezbollahu shkel marrëveshjen ose tenton të riarmatoset, ne do të godasim me vendosmëri. Ne e kemi kthyer Hezbollahun dekada mbrapa, kemi eliminuar udhëheqësit e tij kryesorë”, deklaroi Netanyahu.

Ai renditi tre arsye se pse e pranoi këtë marrëveshje: “Pse duhet të kemi një armëpushim tani? Për tre arsye kryesore. Arsyeja e parë është të përqendrohemi në kërcënimin iranian dhe nuk do të zgjerohem në këtë. Arsyeja e dytë është t'u japim forcave tona një frymëmarrje dhe të rimbushim rezervat. Dhe unë them në mënyrë të hapur, nuk është sekret se ka pasur vonesa të mëdha në dërgesat e armëve dhe municioneve. Dhe arsyeja e tretë për të pasur një armëpushim është ndarja e fronteve dhe izolimi i Hamasit. Që nga dita e dytë e luftës, Hamasi po llogariste Hezbollahun që të luftonte në krah të tij. Me Hezbollahun jashtë, Hamasi mbetet i vetëm në front. Do të rrisim presionin tonë mbi të dhe kjo do të na ndihmojë në misionin tonë të shenjtë të lirimit të pengjeve”.

Zyrtarët libanezë kanë thënë se edhe Hezbollahu e mbështet marrëveshjen. Nuk është tamam e qartë se kur do të niste zbatimi i armëpushimit dhe se cilat do të jenë kushtet e tij. Ky armëpushim nuk ndikon në luftën e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës, e cila nuk po tregon shenja se mund të përfundojë, duke i bërë shumë pesimist banorët e Gazës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos