Sulme edhe për Pashkë, Ukraina dhe Rusia, me akuza për shkelje të armëpushimit

Nga Rosalba Bejdo
12 Prill 2026, 13:16 | Bota

Ukraina dhe Rusia akuzojnë njëra-tjerën për qindra shkelje të reja të armëpushimit të shkurtër, të arritur me rastin e Pashkëve Ortodokse. Ushtria ukrainase fajësoi të dielën forcat ruse, për gati 3 mijë shkelje që kur hyri në fuqi armëpushimi në orën 16 të se shtunës. Ndërkohë, ministria e mbrojtjes në Moskë pretendon se pala ukrainase kishte kryer 1970shkelje, përfshirë 3 tentativa për kundërsulm në rajonin e Dnipropetrovsk.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenskitha më herët se forcat e vendit të tij do t’i përgjigjeshin në mënyrë simetrike sulmeve ruse gjatë armëpushimit, duke i quajtur Pashkët, si kohë paqeje.

Ai shtoi se shpresonte që armëpushimi të zgjatej edhe përtej festës për të lehtësuar negociatat për fundin e luftës të cilat kanë ngecur për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme. Por Moska refuzoi propozimin, duke paralajmëruar se sulmet do të rinisin të hënën.

Sipas ushtrisë ukrainase, trupat ruse ndërmorën 28 sulme dhe lëshuan rreth 2 mijë dronë, por nuk përdorën bomba apo raketa. Në rajonin ukrainas të Sumit, në kufi me Rusinë, autoritetet lokale bënë me dije se një dron rus kishte goditur një ambulancë gjatë natës duke plagosur 3 mjekë.

Ndërkohë Moska njoftoi se, Kievi kishte ndërmarrë tre sulme gjatë natës ndaj pozicioneve në zonën e Pokrovsk dhe Otradne në rajonin e Dnipropetrovsk.

Presidenti rus Vladimir Putin shpalli në mënyrë të njëanshme armëpushimin për Pashkë pasi më herët refuzoi thirrjet e përsëritura të Ukrainës për pushim të luftimeve. Zelenski u kundërpërgjigj se edhe forcat e tij do vepronin njësoj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos