
Autoritetet amerikane po hetojnë një seri sulmesh kibernetike ndaj sistemeve që monitorojnë rezervat e karburantit në pika të ndryshme furnizimi me naftë dhe benzinë në disa shtete të SHBA-së. Sipas burimeve të cituara nga CNN, dyshimet kryesore bien mbi hakerë të lidhur me Iranin.
Sulmet kanë shënjestruar të ashtuquajturat sisteme automatike të matjes së rezervuarëve (ATG), të cilat në shumë raste kanë qenë të lidhura në internet pa mbrojtje me fjalëkalim, përcjell A2. Kjo u ka lejuar hakerëve të hyjnë në sistem dhe të manipulojnë shfaqjen e të dhënave mbi nivelin e karburantit, megjithëse nuk kanë ndryshuar sasinë reale të tij.
Zyrtarët amerikanë theksojnë se deri tani nuk raportohet për dëme fizike apo incidente serioze, por shqetësimi kryesor lidhet me faktin se një ndërhyrje e tillë mund të fshehë rrjedhje karburanti apo probleme të tjera teknike, duke rrezikuar sigurinë publike.
Sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike, Irani ka një histori të gjatë sulmesh ndaj infrastrukturës kritike amerikane, përfshirë sistemet e ujësjellësit dhe sektorin energjetik. Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023, SHBA akuzoi grupe të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike iraniane për sulme ndaj rrjeteve të ujësjellësit në Amerikë.
Ekspertët paralajmërojnë se aktiviteti kibernetik iranian është bërë më agresiv dhe më i sofistikuar gjatë muajve të fundit. Sulmet e fundit kanë prekur jo vetëm sektorin energjetik, por edhe kompani të mëdha amerikane, institucione shtetërore dhe figura të larta të sigurisë.
Ndërkohë, shqetësimet shtohen edhe për mundësinë e ndërhyrjeve në zgjedhjet amerikane të ardhshme. Ish-zyrtarë të sigurisë amerikane paralajmërojnë se Irani mund të përdorë fushata dezinformimi dhe operacione kibernetike për të ndikuar opinionin publik, veçanërisht në prag të zgjedhjeve në SHBA. (A2 Televizion)