“Kina e merr Tajvanin vetëm me luftë”, profesori shqiptar tregon pyetjen e ndaluar në Pekin

Nga A2 CNN
15 Maj 2026, 22:47 | Bota

“Kina e merr Tajvanin vetëm me luftë”, profesori shqiptar

“Kina e merr Tajvanin vetëm me luftë!”. Akademiku i Institutit të Historisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Prof. Asoc. Dr. Gjon Boriçi, ka rrëfyer një episod të fortë nga një vizitë në Pekin në vitin 2017, duke zbuluar një deklaratë që, sipas tij, la të shtangur të gjithë pjesëmarrësit në një takim akademik në Kinë.

I ftuar në programin “Rretheqark” me Xhevahir Qardakun në A2 CNN, për të analizuar vizitën e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kërcënimin e Xi Jinping për përplasje të mundshme për ishullin, profesori tregoi se gjatë një diskutimi në Akademinë e Shkencave në Pekin, një profesor dhe këshilltar i qeverisë kineze dha një përgjigje të prerë lidhur me çështjen e Tajvanit.

“Sapo një koleg nga Universiteti i Tokios bëri pyetjen për Tajvanin, që ishte një temë pothuajse e ndaluar në atë grup të iniciativës ‘Një Brez, një Udhë’, profesori kinez u përgjigj vetëm me një fjali: ‘Tajvanin nuk kemi rrugë tjetër për ta marrë përveç se me luftë’”, rrëfeu Boriçi.

Sipas tij, deklarata shkaktoi heshtje dhe habi te të gjithë të pranishmit.

“Nuk e harroj asnjëherë atë moment. Ishim në vitin 2017 dhe të gjithë mbetëm të shtangur. Ishte një mesazh shumë i fortë për mënyrën sesi një pjesë e establishmentit kinez e sheh çështjen e Tajvanit”, tha akademiku shqiptar.

Profesori theksoi se Kina përballet me një dilemë të madhe strategjike dhe ekonomike nëse tensionet me Tajvanin do të përshkallëzohen deri në konflikt ushtarak.

“Kina duhet të bëjë një llogari të madhe me veten e saj: sa e forcon ndërkombëtarisht si imazh dhe sa e përballon ekonomikisht një luftë me Tajvanin”, u shpreh ai.

Boriçi nënvizoi gjithashtu se Tajvani ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje, duke e çuar buxhetin ushtarak në rreth 24 miliardë dollarë në vit.

“Tajvani nuk njihet zyrtarisht nga SHBA dhe nuk ka një aleancë të drejtpërdrejtë mbrojtëse, por situata mbetet jashtëzakonisht delikate”, tha ai. Sipas profesorit, dilema që dominon sot në qarqet drejtuese kineze është e qartë: “Më mirë dorën te shpata apo te xhepi i parave”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos