
Qeveria e Ekuadorit ka dislokuar më shumë se 75 mijë ushtarë dhe policë në katër provinca të vendit për të luftuar bandat kriminale të lidhura me trafikun e drogës, shkruan A2 CNN. Ministri i Brendshëm, John Reimberg, njoftoi se operacioni është pjesë e një “faze të re” të luftës kundër krimit të organizuar.
Në zonat më të prekura është vendosur edhe shtetrrethim gjatë natës. Masat janë përqendruar në provincat El Oro, Guayas, Los Ríos dhe Santo Domingo de los Tsáchilas, të cilat konsiderohen ndër më problematiket për shkak të dhunës së lidhur me kartelet e drogës.
Presidenti Daniel Noboa, i cili mori detyrën në nëntor 2023, ka ndërmarrë një sërë masash të ashpra kundër krimit, por pavarësisht kësaj, vendi regjistroi një nivel rekord vrasjesh në vitin 2025.
Pozicioni gjeografik i Ekuador, mes Kolumbisë dhe Perusë, dy nga prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë, e ka kthyer atë në një pikë kyçe transiti për trafikun e drogës. Vlerësohet se rreth 70% e kokainës së prodhuar në këto vende kalon përmes territorit ekuadorian.
Autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur bashkëpunimin me qeverinë e Noboa-s për të frenuar trafikun e drogës drejt Amerikës së Veriut. Së fundmi, FBI hapi zyrën e saj të parë në vend, ndërsa operacionet e përbashkëta kundër narkotikëve janë intensifikuar.
Në një takim ndërkombëtar të zhvilluar nga presidenti amerikan Donald Trump, liderët e rajonit u thirrën të përdorin edhe forcat ushtarake për të luftuar kartelet. (A2 Televizion)