Elon Musk, miliarderi i njohur dhe pronar i rrjetit social X, është sot personi më i ndjekur në këtë platformë, përpara figurave si Barack Obama apo Cristiano Ronaldo. Përveç bizneseve të tij, Musk njihet edhe për komentet e forta mbi tema të ndryshme, nga puna në distancë e deri tek teknologjia e së ardhmes.
Së fundmi, ai ka ngritur një shqetësim serioz: sipas tij, bota po shkon drejt një krize elektrike për shkak të rritjes së konsumit global të energjisë. Musk e lidh këtë me dy faktorë kryesorë, shpërndarjen masive të inteligjencës artificiale dhe zgjerimin e përdorimit të makinerive elektrike.
Ai thekson se çdo kërkesë ndaj AI shpenzon burime të mëdha. Vetëm ChatGPT, në rreth 100 fjalë, përdor mesatarisht 519 mililitra ujë. Duke marrë parasysh se ky sistem merr rreth 25 miliardë kërkesa çdo ditë, kostot energjetike dhe mjedisore janë gjigante.
“Rritja e njëkohshme e makinave elektrike dhe AI po krijon një kërkesë të jashtëzakonshme për energji dhe pajisje elektrike”, paralajmëron Musk. Ai është shprehur se rrjetet aktuale elektrike nuk janë të përgatitura për këtë ngarkesë, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë që shumica e shteteve po orientojnë investimet drejt energjive të rinovueshme për të zëvendësuar lëndët djegëse fosile, Musk mbështet përdorimin e energjisë bërthamore. Sipas tij, kjo është mënyra më e sigurt për të garantuar furnizim të qëndrueshëm, 24 orë në ditë, me një gjurmë karboni shumë më të ulët.
Shembull i kësaj qasjeje është Google, e cila tashmë po zhvillon reaktorë të vegjël bërthamorë për qendrat e saj të të dhënave. (A2 Televizion)