
Kryeministri Edi Rama deklaroi se është i gatshëm për dialog në çdo kohë dhe me këdo, përveç forcave politike që, sipas tij, qëndrojnë pas dhunës.
"Dialog në çdo orë, në çdo ditë, në çdo vend, me këdo, përveç forcave politike që janë mbrapa dhunës dhe që nuk distancohen nga dhuna. Përveç atyre që gjuajnë me gurë policinë, përveç atyre që duartrokasin kur digjet një polic. Kushdo tjetër është i mirëseardhur, ose te kushdo tjetër jam gati të shkoj dhe të dëgjoj dhe të kuptoj se si dhe ku gjendet kjo zgjidhje. Por, zgjidhje politike me ndryshime artificiale të lidershipit, me ndryshime artificiale të rrugës së këtij vendi, me përzierje të njomit me të thatin, gjoja në emër të qetësisë, në emër të dashurisë, në emër të paqes, nuk ka”, tha Rama, shkruan A2.
“Jo se s'dua unë. Nuk është këtu pushteti im personal. Nuk ka lidhje fare. Unë nuk e kam pushtet personal. Për mua zyra e Kryeministrit nuk është vend pune. Jam ngarkuar nga 800 e kusur mijë shqiptarë, në bazë të një kontrate që mbaron në 2029, për të bërë një punë. Unë nuk i kam lëvizur asaj kontrate dhe deri tani të gjitha programet e reja të premtuara janë vënë në lëvizje. Dhe ne nuk kemi lëvizur asnjë metër nga objektivi dhe nga rruga për ta ngritur flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit atje në Bruksel, në oborrin e shtëpisë europiane. Aty ku do të shpëtojë Shqipëria një herë e mirë nga ajo dorë që e përndjek që nga 1912 dhe që e kap për fyti sa herë Shqipëria tenton të ngrihet, sa herë ngre kokën, sa herë Shqipëria del pak mbi sipërfaqe, ndërkohë që sot kemi dalë shumë mbi sipërfaqe”, shtoi kryeministri.
(A2 Televizion)