Donald Trump është zyrtarisht Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai bëri betimin në një ceremoni të mbajtur, për herë të parë pas 40 vitesh, brenda Kongresit.
Ish-Presidenti Joe Biden dhe ish-nënpresidentja Kamala Harris bënë transferimin e qetë të pushtetit në duart e republikanit, që u betua me të njëjtën bibël të përdorur nga Abraham Lincoln, në inaugurimin si President në vitin 1861.
Në fjalimin e parë si President i 47-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, prezantoi vizionin e tij qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Fillimisht për Amerikën.
“Epoka e artë e Amerikës fillon pikërisht tani. Nga kjo ditë e tutje vendi ynë do të lulëzojë dhe do të respektohet. Unë thjesht do të vendos Amerikën të parën. Sovraniteti ynë do të rifitohet, siguria jonë do të rikthehet, peshorja e drejtësisë do të ribalancohet. Shndërrimi i egër dhe i dhunshëm i Departamentit të Drejtësisë në një armë politike do të marrë fund. Prioriteti ynë kryesor do të jetë krijimi i një kombi krenar, të begatë dhe të lirë”, tha Trump.
Më pas, njoftoi dhënien fund të politizimit të racës apo gjinisë në aspektin e jetës publike dhe private: “Nga sot do të jetë politikë zyrtare e qeverisë amerikane që të kemi vetëm dy gjini, mashkull dhe femër”.
Më pas, thuajse e vetëshpalli veten një “profet”, duke nënvizuar se iu kursye jeta për një mision hyjnor, për ta bërë Amerikën sërish madhështore.
“20 janari i 2025 është një ditë çlirimi”, u shpreh Trump duke sulmuar administratën e kaluar të Joe Biden si të korruptuar dhe ekstremiste.
Presidenti shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën: “Të gjitha hyrjet e paligjshme të emigrantëve do të ndalohen dhe do të nisim procesin e dëbimit për në vendet nga kanë ardhur të miliona kriminelëve”.
Trump shtoi se do të urdhërojë dërgimin e njësive të ushtrisë për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara, siç tha ai, nga “pushtimi i emigrantëve”. Gjithashtu, njoftoi se po i shpall kartelet e drogës si organizata terroriste të huaja.
Presidenti i ri vuri në zbatim dhe një tjetër emergjencë kombëtare, atë të energjisë, për ta bërë Amerikës një komb prodhues të saj, ndërsa vulosi dhe njëherë daljen e Shteteve të Bashkuara nga pakti i Parisit për Klimën.
Trump u zotua të kthente fjalën e lirë duke ndaluar përmes një urdhri ekzekutiv çdo çensurë.
Në politikën e jashtme konfirmoi synimet e pas fushatës që të riemërtojë Gjirin e Meksikës në Gjiri i Amerikës dhe rimarrjen e Kanalit të Panamasë. Por foli edhe për luftërat: “Trashëgimia ime më krenare do të jetë ajo e një paqebërësi dhe unifikuesi. Kjo është ajo që dua të jem, paqebërës dhe unifikues. Kam kënaqësinë të them se nga e diela, një ditë para se të marr detyrën, pengjet në Lindjen e Mesme janë kthyer në shtëpi te familjet e tyre.”
Në fund, kishte dhe një plan për jashtë këtij planeti: “Shtetet e Bashkuara do ta konsiderojnë edhe një herë veten një komb në rritje, një komb që rrit pasurinë tonë, zgjeron territorin tonë, ndërton qytetet tona, ngre pritshmëritë tona dhe mbart flamurin tonë në horizonte të reja dhe të bukura, dhe ne do të ndjekim fatin tonë të dukshëm në yje, duke nisur astronautët amerikanë për të vendosur yjet dhe vijat tona në planetin Mars.”
]Bashkë me Trump, u betua dhe nënpresidenti J.D Vance. (A2 Televizion)