Kryeministri Edi Rama ndodhet në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin dyditor të Procesit të Berlinit, me drejtuesit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe 10 përfaqësues të shteteve europiane.
Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi, raportoi nga Budva për Dita Jonë se samiti synon forcimin e bashkëpunimit rajonal, integrimin ekonomik dhe avancimin e perspektivës europiane të vendeve të rajonit.
Sipas gazetares së A2 CNN agjenda zyrtare parashikon pritjen e liderëve në orën 09:30, ndërsa punimet pritet të nisin rreth orës 10:20, me një sesion të hapur ku do të mbajnë fjalime përfaqësuesit pjesëmarrës. Rreth orës 13:00 është parashikuar një konferencë për shtyp mes kryeministrit të Malit të Zi dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Një nga takimet e rëndësishme për Shqipërinë pritet të zhvillohet rreth orës 15:45, mes delegacioneve shqiptare dhe gjermane. Në fokus do të jetë rruga e integrimit europian dhe koordinimi i veprimeve për të përfituar nga instrumentet dhe mekanizmat e Bashkimit Europian. Sipas gazetares, takimi synon të shërbejë si një mundësi për të diskutuar objektivat dhe hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit, dhe jo për të marrë një vendim përfundimtar mbi integrimin, raportoi gazetarja e A2 CNN.
Përveç agjendës zyrtare, në diskutime mund të përfshihen edhe zhvillimet e brendshme në vendet pjesëmarrëse, përfshirë protestat në Shqipëri dhe Itali. (A2 Televizion)