Erdogan: Izraeli do “Tokën e premtuar”, nuk do ta lejojmë!

Nga A2 CNN
10 Qershor 2026, 14:20 | Bota

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të mërkurën se sulmet e Izraelit në Siri dhe Liban kanë arritur në një pikë ku përbëjnë një kërcënim direkt edhe për vetë Turqinë. Gjatë një fjalimi para ligjvënësve të partisë së tij AK, Erdogan theksoi se agresioni izraelit rrezikon të gjithë botën dhe duhet ndalur menjëherë, duke shtuar se siguria e Ankarasë është e lidhur ngushtë me atë të Damaskut dhe Bejrutit.

“Sulmet e Netanyahu dhe rrjetit të tij vrasës ndaj Sirisë dhe Libanit kanë arritur në një pikë ku përbëjnë kërcënim për Turqinë, po aq sa për këto dy vende vëllazërore. Nuk do të mbyllim sytë përballë asnjë sulmi kundër vëllezërve tanë”, tha Erdogan, përcjell A2 CNN.

Turqia, një vend anëtar i NATO-s, mbetet një nga kritikët më të ashpër të operacioneve ushtarake izraelite në Iran, Gazë dhe Liban. Ankaraja zyrtare e konsideron Izraelin si pengesën kryesore për paqen rajonale, ka ndërprerë çdo marrëdhënie tregtare me të dhe ka kërkuar masa ndëshkuese në gjykatat ndërkombëtare.

“Tani këta njerëz dhe veglat e tyre po enden duke bërë të ashtuquajtura kërcënime që synojnë Turqinë. Nuk ka nevojë që ta thoni këtë. Ne tashmë i dimë shumë mirë qëllimet, synimet dhe objektivin tuaj.  E shohim shumë qartë se çfarë po kërkoni të arrini. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për qëllimin përfundimtar të iluzionit të të ashtuquajturës 'Tokë e Premtuar'. Me ndihmën e Zotit, ne nuk do ta lejojmë kurrë këtë”, shtoi Erdogan.

Më tej, Erdogan akuzoi Izraelin për përpjekje të fshehta për destabilizimin e Afrikës dhe Mesdheut, duke ndezur "zjarrin e përçarjes" në Qipro. Ai paralajmëroi se çdo shkelje e të drejtave të Turqisë dhe qipriotëve turq në Mesdheun Lindor do të marrë një përgjigje mjaft të ashpër.

Ai u bëri thirrje fuqive globale të mbajnë një qëndrim të prerë, duke thënë se kthimi i Izraelit brenda kufijve të ligjit ndërkombëtar është tashmë një detyrë e përbashkët për të gjithë njerëzimin.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos