Ky është helikopteri që ndezi Lindjen e Mesme. Irani dhe SHBA-të janë angazhuar në një shkëmbim zjarri të ripërtërirë pasi forcat e Gardë Revolucionare rrëzuan një helikopter amerikan Apache. Forcat amerikane, zbatuan fjalët e presidentit Donald Trump për “hakmarrje detyruese” duke lëshuar 3 valë sulmesh të ashpra kundër Teheranit.
Komanda Qendrore Amerikane deklaroi: “Forcat e Komandës Qendrore goditën mbrojtjen ajrore të Iranit, stacionet e kontrollit tokësor dhe vendet e radarëve të mbikëqyrjes pranë Ngushticës së Hormuzit me municione precize nga avionët luftarakë të Forcave Ajrore dhe të Marinës Amerikane. Operacioni ishte një përgjigje proporcionale ndaj sulmeve të fundit kundër forcave amerikane dhe anijeve tregtare ndërkombëtare që bënin tranzit në ujërat rajonale.”
Zyrtarët iranianë konfirmuan për mediat ndërkombëtare se sulmet ajrore amerikane kanë goditur baza ushtarake dhe detare, instalime radarësh dhe bateri artilerie në pesë lokacione përgjatë bregdetit jugor të Iranit. Në mënyrë specifike, thuhet se sulmet ajrore amerikane kanë goditur bazat detare në Sirik dhe Jask, sistemet e mbrojtjes ajrore në Bandar Abbas dhe bateritë e raketave në Qeshm. Teherani iu përgjigj sulmit me një breshëri raketash kundër disa bazave amerikane në rajon. Aktualisht nuk ka raportime për të lënduar ose dëme, por Garda Revolucionare pretendon se ka shkatërruar disa avionë luftarakë F-35 dhe bazën në Jordani.
“Është përgjegjësi morale dhe ligjore e të gjitha vendeve në rajon” që të mos i ofrojnë më mbështetje Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo vlen në veçanti për “shtetet bregdetare jugore të Gjirit Persik”, deklaroi Ministria e Jashtme e Teheranit në një deklaratë. Ndërkohë, ushtria e Kuvajtit bëri me dije se ka shënjestruar “objektiva ajrore armiqësore” në territorin e saj pas shkëmbimit të sulmeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Sirenat e alarmit u dëgjuan edhe në Bahrein. (A2 Televizion)