
Një ekspert i mjekësisë ligjore ka dalë në përfundimin se financieri amerikan Jeffrey Epstein mund të jetë vrarë në qelinë e tij në vitin 2019, duke kundërshtuar versionin zyrtar se ai i dha fund jetës me vetëvarje. Megjithatë, Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Nju Jorkut ka deklaruar se qëndron pas përfundimit të saj fillestar se vdekja ishte vetëvrasje.
Michael Freeman, studiues dhe konsulent në fushën e epidemiologjisë mjeko-ligjore, prezantoi të hënën në Londër rezultatet e një hetimi të kryer së bashku me patologun mjeko-ligjor Anders Eriksson, profesor në Universitetin Umea në Suedi, dhe neuroshkencëtarin Itiel Dror.
Pas shqyrtimit të plotë të dosjes së autopsisë dhe rindërtimit të ngjarjes përmes fotografive të ekzaminimit, ekspertët pretendojnë se dëmtimet në trupin e Epstein janë më të përputhshme me një sulm fizik dhe përleshje sesa me vetëvarjen.
Sipas prezantimit të tyre, nuk ka prova që të ketë ndodhur një vetëvarje, përcjell A2 CNN. Ata argumentojnë gjithashtu se shenjat në qafë përputhen më shumë me një mbytje kriminale nga pas, me shumë gjasë përmes një cope të ngushtë pëlhure të lidhur nyjë.
Nga ana tjetër, Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Nju Jorkut i tha CNN se qëndron pas përcaktimit të saj se Epstein vdiq nga vetëvarja.
Trupi i financierit u gjet i varur në qelinë e tij në Qendrën Korrektuese Metropolitane në Nju Jork, më 10 gusht 2019. Në atë kohë, ai ishte nën vëzhgim për rrezik vetëvrasjeje, por ishte hequr nga kjo masë më 24 korrik, disa javë përpara vdekjes.
Rrethanat e ngjarjes kanë nxitur prej vitesh pikëpyetje dhe teori konspirative. Kamerat e sigurisë pranë qelisë së Epstein nuk regjistruan pamje gjatë natës së vdekjes së tij, për shkak të problemeve të vazhdueshme teknike në sistemin e mbikëqyrjes së burgut, të dokumentuara edhe në një raport të Departamentit amerikan të Drejtësisë në vitin 2023.
Edhe avokatët e Epstein kishin shprehur pakënaqësi me përfundimin fillestar të autoriteteve dhe kishin kërkuar një hetim më të thelluar mbi kushtet e sigurisë në burg.
Hetimet e FBI-së dhe Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë shqyrtuan rrethanat e vdekjes dhe u shoqëruan me publikimin e miliona dokumenteve që lidhen me çështjen Epstein. Megjithatë, ato nuk arritën të shuanin dyshimet dhe teoritë mbi mënyrën se si ai humbi jetën.
Në vitin 2019, Epstein u akuzua për drejtimin e një rrjeti të trafikimit seksual, përmes të cilit kishte abuzuar me dhjetëra vajza të mitura. Sipas akuzave, gjatë periudhës 2002-2005, ai u paguante para në këmbim të marrëdhënieve seksuale vajzave, disa prej të cilave vetëm 14 vjeçe.
Sipas The New York Times, Freeman e mori dosjen e plotë të autopsisë nga Mark Epstein, vëllai i financierit dhe një prej personave të paktë që kishte akses në të.
Megjithatë, gjetjet e reja nuk janë shqyrtuar ende nga ekspertë të tjerë përmes procesit të vlerësimit shkencor. Vetë Freeman ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush mund ta ketë vrarë Epstein dhe se qëllimi i tij nuk është të identifikojë autorët, por të evidentojë ato që i konsideron mangësi në hetimin fillestar dhe në raportin e autopsisë. “Unë jam i interesuar vetëm të kuptoj se si gjërat morën një drejtim kaq të gabuar”, tha ai në një intervistë për The New York Times. (A2 Televizion)





