Një deklaratë që mund të ndezë shpresat e futbollit shqiptar vjen nga Italia. Elia Caprile, portieri i Cagliarit, nuk e përjashton mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë në të ardhmen.
Në një intervistë për Corriere della Sera, e publikuar nga Gianluca Di Marzio, 24-vjeçari foli për të ardhmen e tij me kombëtaren dhe për herë të parë la hapur një mundësi konkrete për kuqezinjtë.
Në fokus është edhe rrëfimi i tij personal. Caprile tregoi se në fëmijëri ishte nënvlerësuar nga disa trajnerë për shkak të fizikut dhe madje kishte menduar të hiqte dorë nga futbolli. Sot, pas paraqitjeve të mira me Cagliarin, ai beson se e meriton një shans me Italinë, shkruan A2.
"A e meritova ekipin kombëtar? Mendoj se jam në atë nivel, po e vërtetoj. Por e di që gjithçka mund të ndryshojë dhe duhet të përqendrohem vetëm në atë që varet nga unë. Kombësia shqiptare? Për shkak të origjinës së Emily-t, partneres sime. Nëse do të dalë diçka nga kjo, nuk e di. Deri më tani, askush nga Federata nuk ka trokitur në derën time. Nëse do të dalë, do ta vlerësoj dhe do te jap pergjigjen time", tha Caprile.
Megjithatë, dera për Shqipërinë mbetet e hapur. Portieri ka marrë nënshtetësinë shqiptare përmes lidhjes familjare të partneres së tij, Emily Toshkollari, por përfaqësimi i kuqezinjve kërkon edhe plotësimin e kritereve të FIFA-s.
Për momentin, mbetet një mundësi që mund të marrë jetë në të ardhmen, nëse plotësohen kushtet dhe palët gjejnë gjuhën e përbashkët. (A2 Televizion)