
Zyrtarët e Nju Jorkut dhe FBI-ja kanë nisur një hetim për "një akt terrorizmi të frymëzuar nga ISIS", pas përpjekjes për përdorim të dy eksplozivëve të prodhuar në shtëpi pranë rezidencës zyrtare të kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, raporton A2CNN.
Pajisjet mund të kishin shkaktuar lëndime serioze ose vdekje bëri me dije policia e Nju-Jorkut. Të dyshuarit u identifikuan si 18-vjeçari Emir Balat dhe 19-vjeçari Ibrahim Kayumi, të dy nga Pensilvania. Kujtojmë që dje Policia e Nju-Jorkut gjeti një pajisjeje shpërthyese të improvizuar pranë rezidencës së kryebashkiakut Zoran Mamdani, gjatë një proteste të zhvilluar të shtunën në zonën e Manhattan.
Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi pranë Gracie Mansion, rezidencës zyrtare të kryebashkiakut të qytetit. Në atë moment, në zonë po zhvillohej një protestë anti-myslimane e organizuar nga një grup racist i bardhë, ndërsa një numër më i madh kundërprotestuesish ishte mbledhur gjithashtu në të njëjtën zonë.
Gjatë përplasjes mes grupeve, dy burra që dyshohet se ishin pjesë e kundërprotestuesve hodhën një pajisje zjarrvënëse pranë forcave të policisë dhe lanë një tjetër pajisje në afërsi të zonës. Sipas hetimeve paraprake, pajisjet përbëheshin nga kavanoza me fitil të mbushura me copa druri dhe vida metalike.
(A2 Televizion)