Sulmet ruse lënë Harkivin në terr, Ukraina bombardon një rafineri në Rusi

Nga A2 CNN
24 Shtator 2025, 16:36 | Bota

Sulmet ruse lënë Harkivin në terr, Ukraina bombardon një

Ukraina e ka goditur një nga rafineritë më të mëdha të Rusisë për herë të dytë brenda një jave, ndërkohë që sulmet ajrore ruse gjatë natës lanë në terr qytetin verilindor ukrainas, Harkiv.

Kompleksi petrokimik Salavat në Bashkortostanin qendror, i kontrolluar nga gjiganti energjetik rus Gazprom, u godit nga dronët ukrainas, tha guvernatori rajonal Radiy Khabirov, duke shtuar se autoritetet po vazhdojnë t’i vlerësojnë dëmet.

Një burim nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) konfirmoi për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë (REL) se dronët e tij kryen sulmin.

Burimi shtoi se, si pasojë e sulmit, shpërtheu një zjarr në zonën e Salavatit.

Fotografi dhe video të shpërndara nga përdorues në kanalet ukrainase dhe ruse të Telegramit shfaqin një shtëllungë të madhe tymi të zi që ngrihej mbi objekt.

“Të gjitha shërbimet e emergjencës janë në terren. Po ndërmarrim masa për shuarjen e zjarrit”, shkroi Khabirov në një postim në Telegram mëngjesin e së mërkurës.

Salavati, që ndodhet rreth 1.500 kilometra larg vijës së frontit në Ukrainë, prodhon 150 lloje produktesh, përfshirë benzinë për automjete, naftë, mazut, bitum dhe polietilen.

Në mes të valës së sulmeve nga Ukraina, Rusia është përballur me mungesa gjithnjë e më të mëdha të disa llojeve të karburantit për shkak të kufizimit të kapaciteteve të rafinimit.

Zyrtarët lokalë në rajonin e Volgogradit në Rusi gjithashtu raportuan për një sulm “masiv” me dronë ndaj infrastrukturës së karburantit dhe energjisë, duke pretenduar se mbrojtja ajrore ruse e zmbrapsi atë.

Ndërkohë, sulmet ruse gjatë natës mbi Ukrainë vazhduan. Zyrtarët ukrainas raportuan dëme në infrastrukturën energjetike dhe civile në rajonet e Harkivit, Zaporizhjas dhe Donjeckut.

Ihor Terekhov, kryebashkiaku i qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, tha se më shumë se një duzinë dronësh kamikazë rusë goditën objektin energjetik të qytetit. Sulmi shkaktoi një ndërprerje të energjisë elektrike në distriktin Holodnohirski.

“Rreth 80.000 familjare dhe biznese mbetën përkohësisht pa energji”, tha kompania vendore e energjisë në një deklaratë.

Ajo shtoi se rreth 30.000 banorë vazhdojnë të mbeten pa rrymë.

Terekhov gjithashtu raportoi dëme në banesa, një dyqan dhe disa makina. Nuk u raportuan viktima.

“Armiku po përpiqet të na thyejë me këto sulme, por Harkivi po qëndron i fortë. Dhe do të qëndrojë”, shtoi Terekhov. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos