Claudia Cardinale, ikona e filmit në vitet 60-të, dhe simbol i hijeshisë në kinematografinë e pas luftës në Itali, u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare në Francë. E rritur në Tunizi nga një familje me origjinë siçiliane, prezantimi i saj me botën e filmit erdhi në vitin 1957, pasi fitoi një konkurs bukurie në Tuniz.
Zëri i saj u desh të dublohej për rolet e para në ekranin italian, pasi ishte rritur në një familje ku flitej në dialektin siçilian, dhe ishte arsimuar në një shkollë frankofone. Shquhej për bukuri dhe sensualitet, por pas tyre fshihte një dhimbje të madhe për të cilën nuk donte të fliste.
Ishte vetëm 16 vjeç kur u përdhunua në Tuniz nga një i panjohur. Nga kjo eksperiencë dramatike të cilën e ka rrëfyer për mediat italiane, lindi djali i saj Patrik. Shtatzënia e fshehtë në moshë të hershme i komplikoi fillesat e karrierës, por në asnjë moment nuk mendoi të ndërpriste, siç ka treguar. I biri lindi në Londër në vitin 1958 dhe për shumë vite e prezantoi atë si vëllain e vogël, teksa rritej në shtëpinë e prindërve të saj.
Pas disa roleve të vogla siguroi famë ndërkombëtare në vitin 1963 kur aktroi në filmin e Federico Fellinit, 8 e ½ dhe më pas në “Leopardin” e Burt Lancaster. Profili gjithmonë e më i lartë i hapi dyert prodhimeve te tjera hollivudiane si “Pantera rozë” nga Blake Edwards, apo “Na ishte një herë në perëndim” të Sergio Leone. Karriera e Kardinales mori një goditje në vitet 70-të, pasi u nda nga producenti Franco Cristaldi për të nisur një marrëdhënie me Pasquale Squitieri, me të cilin ka edhe një vajzë, që mban emrin e saj, Claudia.
I zemëruar pasi u braktis për një burrë tjetër Cristaldi u kërkoi miqve dhe bashkëpunëtoreve në industrinë amerikanë të mos i jepnin më role Cardinales, situatë kjo që zgjati për gati 7 vite. Franco Zeffirelli i hodhi kamerdaren e shpëtimit në 1977, duke i dhënë një rol në miniserialin, Jezusi i Nazaretit. Më pas vijoi të punonte me regjisorë të tjerë evropianë.
E njohur për zërin e ngjirur karakteristik,Cardinale pati reputacionin e një gruaje të lirë dhe shumë të pavarur e cila dikur sfidoi protokollin e Vatikanit duke u shfaqur me minifund në një takim me Papa Palin e VI. E stacionuar në Francë për shumicën e kohës, dhe mikeshë e presidentëve Fransua Miterran dhe Zhak Shirak, Cardinale ju kushtua teatrit në fillim të këtij shekullit, duke fituar edhe atje duartrokitjet e publikut.
Në festivalin e Berlinit në vitin 2002, kur u vlerësua me çmim për arritjet në karrierë, tha se aktrimi kishte qenë një karrierë e mrekullueshme.
“Kam jetuar më shumë se 150 jetë, kam qenë prostitutë, shenjtore, romantike, çdo lloj gruaje dhe kjo është një mundësi për të ndryshuar veten”, ishin fjalët e saj pas pranimit të çmimit.
David Niven, e përkufizoi si shpikjen më të bukur të italianëve pas makaronave. (A2 Televizion)